Nga studimet e fundit në lidhje me efektshmerinë e dozës përforcuese të vaksinës së koronavirusit sipas shkencëtarëve mund të jetë e mjaftueshme për muaj dhe vite me radhë nëse nuk aplikohet doza e katërt. Mediat e huaja në kuadër të të dhënave bëjnë me dije se mutacioni Omicron ka aftësinë t’i shpëtojë antitrupave neutralizues të ofruar nga dy dozat e vaksinës. Por doza përforcuese e vaksinës mRNA e shtyn sistemin imunitar të prodhojë një gamë më të gjerë antitrupash, nga të cilat do të ishte e vështirë të shpëtonte çdo variant i ri, sipas studimit të fundit, i cili ende nuk është testuar në mënyrë të pavarur.
“Me gjithë mbrojtjen e reduktuar kundër infeksionit, pacientët që morën 3 doza të vaksinës mRNA ishin kryesisht të mbrojtur nga pasojat më të rënda të infeksionit, ” kanë thënë studiuesit. Drejtor i Institutit të Imunologjisë në Universitetin e Pensilvanisë , John Ëarrey ka theksuar se me rritjen e dozave të vaksinimit kishim dhe një infeksion më të ulët tek qytetarët. Një dozë e katërt mund të jetë e nevojshme për njerëzit mbi 65 vjeç ose në grupe të tjera, si për shembull personat me imunitet të dobët, por për popullatën e përgjithshme duket e panevojshme.
Çfarë roli luajnë qelizat T dhe B?
Njëra anë e imunitetit janë antitrupat. Megjithatë, qelizat T dhe B të të ashtuquajturit imunitet qelizor luajnë një rol të rëndësishëm , pasi ato njohin më shumë pika të proteinës virale të virusit sesa antitrupat. Por ato janë të vështira për t’u matur. Në rastin e koronavirusit SARS, si rezultat i së cilës rreth 800 njerëz vdiqën në epideminë që shpërtheu në Azi në vitin 2003, qelizat T që njohin virusin mbijetojnë për të paktën 17 vjet, tregoi një studim i publikuar në vitin 2020 në Nature. Bazuar në të dhënat shkencore, qelizat T të prodhuara pas vaksinimit (me vaksinat Pfizer, Moderna, Johnson & Jonhnson ose Novavax) ruajnë 80% të efikasitetit të tyre kundër mutacionit Omicron . Duke pasur parasysh mutacionet e shumta që mbart Omicron, ka të ngjarë që qelizat T të mbeten efektive në variantet e ardhshme.
Roli i qelizave B
Studime të tjera fokusohen në rolin e qelizave B, të cilat “kujtojnë” virusin dhe mund të prodhojnë antitrupa të rinj brenda pesë ditëve nga riekspozimi. Efekti i kombinuar mbrojtës i qelizave T dhe B mund të shpjegojë pse njerëzit e infektuar me Covid-19 pavarësisht se marrin një dozë përforcuese kanë më pak gjasa të sëmuren rëndë. Sipas këtyre të dhënave shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se për shumicën e personave të vaksinuar imuniteti ruhet për një kohë të gjatë dhe është në gjendje të përballojë variantet e reja.