Gjysma e parë e shkurtit do të karakterizohet nga mot i ngrohtë dhe temperatura më të larta nga ato tipiket për këtë muaj.
“Gjatë fundjavës, ashtu si ka nisur mëngjesi i ditës së sotme, do të mbeten prezente vranësirat. Nuk kemi rrezik për reshje shiu të shtunën dhe të dielën.
Përsa i përket situatës termike, ashtu siç kemi pasur rritje të lehtë në vlerat minimale dhe përgjatë këtyre dy ditëve, do të kemi rritje si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale, duke bërë, që vlerat të luhaten nga minimalja -1 gradë Celcius deri në maksimumi 18 gradë Celcius.
Dita e hënë sjell fuqizim të vranësirave në të gjithë vendin, për pasojë reshjet e pakta të shiut vendosen fillimisht në zonën bregdetare dhe më pas në gjithë territorin. E gjithë shtrirja perëndimore do të jetë me reshje të dobëta shiu. Ndërkohë zonat malore do kenë reshje bore. Kjo situatë e paqëndrueshme atmosferike do të zgjasë ditën e hënë dhe mëngjesin e të martës, më pas kemi zhvendosje të gjithë sistemit të vranësirave nga vendi ynë. Të martë dhe të mërkurë bien ndjeshëm temperaturat. Minimalja do të zbresë edhe në -9 gradë. Situata termike fillon e normalizohet nga e enjtja e gjithë fundjavën tjetër”, shpjegon Drinalda Shaholli nga Meteoalb.