Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka urdhëruar ushtrinë dhe policinë që të jenë në gjendje gatishmërie të lartë pas ngjarjeve në Ukrainë. Ai tha në një interviste televizive, se ka lëshuar një urdhër për ushtrinë dhe një kërkesë për policinë që të përgatitet në mënyrën më të mirë në çdo kohë, për të vazhduar investimet në pajisje dhe armatim.

Ai tha se angazhimi i Serbisë për paqen duhet të jetë i fortë dhe forca parandaluese edhe më e fortë.

“Askush nuk mund të parashikojë se si do të sillet dikush. Për sa na përket neve, angazhimi ynë për paqen duhet të jetë i vendosur. Si komandant i përgjithshëm, unë kam dhënë urdhër në çdo kohë që të jemi të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në kuptimin politik, ne duhet të punojmë shumë. Paqja nuk është më diçka e nënkuptuar. Prandaj duhet të punojmë shumë për të garantuar sigurinë”, tha Vuçiç.

Serbia do të përballet me presion të paprecedentë politik pas vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të njohur dy republikat e vetëshpallura në Ukrainën lindore, tha të hënën presidenti Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç tha se pas nënshkrimit të dekretit nga Putini për njohjen e Republikave Popullore të vetëshpallura Luhansk dhe Donetsk, siguria në botë po ‘shembet’.

“Unë mendoj se rendi botëror po ndryshon në këtë mënyrë” tha ai. Vuçiç tha se ishte i shqetësuar dhe pozicioni i Serbisë nuk është i lehtë.

”Tani ka shumë sfida të natyrës politike, të sigurisë dhe ekonomike. Presionet politike do të jenë më të mëdha se kurrë. Vetëm në tre ditët e fundit ajo që kam përjetuar vërteton fjalët e mia. Kam kaluar nëpër presione të ndryshme, por ajo që kam përjetuar në tre ditët e mëparshme dhe ajo që vijon, thjesht nuk do të jetë aspak e lehtë”, tha ai.