Tërhiqet Armando Duka nga zhvillimi i zgjedhjeve të 2 marsit duke njohur kështu fitoren e kryebashkiakut Erion Veliajt në Gjykatë. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për shtyrjen e zgjedhjeve për kreun e FSHF-së dhe vendimit të sotëm për pezullimin e Armand Dukës nga funksionet, ky i fundit njofton se pranon shtyrjen e zgjedhjeve.
Edhe pse tashmë është gjykata ajo që ka vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së në një datë tjetër, Duka përmes një postimi në FB thotë se do të propozojë edhe ai zhvendosjen e zgjedhjeve në një datë tjetër.
“Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më datë 2 mars 2022, me një rend dite siç e parashikon Statuti i FSHF-së: miratimin e bilancit financiar, miratimin e buxhetit, miratimin e raporteve të auditorëve të pavarur dhe zgjedhjet për organet drejtuese, për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme.
Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t’i propozoj dhe do t’i kërkoj Asambles që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër.
Uroj që kjo periudhë t’i shërbej një procesit të rregullt statutor dhe gjithë kandidatëve për të shpalosur platformat e tyre përballë komunitetit të futbollit.”, shkruan Duka.
Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Tiranës ka pezulluar Armand Dukën nga ushtrimi i detyrës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Por, ndryshe nga pesë vendimet e mëparshme të gjykatave, të cilat kanë qenë të karakterit civil, vendimi i sotëm është penal dhe Armand Duka rrezikon të ndiqet penalisht.
Burime nga gjykata bëjnë me dije se janë pezulluar nga detyra edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, Ardian Haçin. Arsyeja lidhej me përgatitjet që Duka, Shulku dhe Haçi, po bëjnë për organizimin e Asamblesë së 2 Marsit në kundërshtim të ligjit dhe pesë vendimeve të dhëna nga Gjykata javën e kaluar.
Më herët Gjykata pezulloi zgjedhjet e 2 marsit deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit dhe zgjedhjet e mbajtura në Shoqatën e Tiranës, duke njohur si kryetar të Shoqatës, Eduard Prodanin.