Rusia ka krematoriume të lëvizshme në arsenalin e saj që mund të ndjekin forcat pushtuese dhe të “avullojnë” ushtarët e vdekur, sipas një raporti.

Ministria britanike e Mbrojtjes publikoi video të kamionëve që mund të djegin trupat një nga një dhe sugjeroi të mërkurën që Kremlini mund t’i vendosë ato në luftën e tij me Ukrainën për të fshehur numrin e viktimave, raporton The Telegraph.

“Nëse do të isha ushtar dhe do ta dija se gjeneralët e mi kishin aq pak besim tek unë, saqë më ndoqën nëpër fushëbetejë me një krematorium të lëvizshëm, ose të isha nëna ose baba i një djali, potencialisht të dislokuar në një zonë luftimi dhe qeveria ime të mendonte se mënyra për të mbuluar humbjet ishte një krematorium i lëvizshëm, do të isha thellësisht i shqetësuar”, tha për gazetën Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace.
“Është një efekt anësor shumë rrëqethës i mënyrës sesi rusët i shohin forcat e tyre,” tha ai për pamjet e postuara për herë të parë në vitin 2013.

Wallace pret “të shohë disa nga gjërat që kanë bërë më parë” dhe se përdorimi i një krematoriumi të lëvizshëm “ndoshta thotë gjithçka që duhet të dini për regjimin rus”, sipas Telegraph.