Ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës kanë kaluar në ‘lexim të parë’ një projektligj për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me gjithë vërejtjet e partive kryesore opozitare për përmirësimin e tij dhe hedhjen e tij në diskutim publik.
Me 81 vota për, asnjë kundër dhe 25 abstenime, projektligji kaloi pengesën e parë pas një debati të gjatë në një seancë të premten.
*Më shumë rreth asaj se çfarë parasheh ky projektligj mund ta dëgjoni të shtunën, më 18 prill, në podkastin tonë “5 Pyetje”, me Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës.
Ky projektligj – i cili ka qenë prej kohësh prioritet i kryeministrit Albin Kurti – duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u bërë ligj.
Synimi i këtij ligji është ta verifikojë ligjshmërinë e pasurisë të të gjithë zyrtarëve publikë në Kosovë, dhe pastaj t’ia lërë në dorë gjyqësorit konfiskimin e saj nëse vërtetohet se ajo ishte fituar kundërligjshëm.
Në paraqitjen e projektligjit, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla deklaroi se projektligji e thotë qartë se “funksioni publik nuk mund të jetë mburojë për pasurim të pajustifikueshëm”.
“Ky projektligj është mesazh i qartë dhe shumë i pritur nga qytetarët se shteti nuk mjaftohet me deklarime kundër korrupsionit, por ndërton mekanizma realë, funksionalë për ta luftuar atë”, tha ajo.
Gërvalla kujtoi se hapat e parë për këtë ligj u ndërmorën më 2021 dhe projektligji i ka kaluar tri opinione të Komisionit të Venedikut, si dhe dy shqyrtime nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“As Komisioni i Venedikut, as Kushtetuesja nuk e kanë kundërshtuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik”, tha Gërvalla, duke shtuar se rekomandimet janë përfshirë në projektligj.
“Procedurat nuk nisi arbitrarisht”, shtoi Gërvalla. “Ato iniciohen në bazë të informacioneve kredibile”.
Sipas ministres, Byroja nuk konfiskon, gjykon apo zëvendëson gjykatat.
“Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin. Vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Pra, një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor”, tha ajo.
Po ashtu, Gërvalla i cilësoi si “propagandë” informacionet se projektligji synon qytetarët e zakonshëm, duke theksuar se cak janë zyrtarët publikë që kanë pasuri të pajustifikuar.




















