“Secili prej jush ka mundësi ta ndryshojë botën”. Me këtë mesazh i është drejtuar kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj të rinjve të pranishëm në pallatin e Kongreseve në eventin e hapjes zyrtare të aktiviteteve të Tirana Europian Youth Capital. “A mund ta ndryshoni shkollën tuaj, a mund ta ndryshoni klasën tuaj, veten tuaj, sepse një njeri që ndryshon veten mund të ndryshojë një klasë e një njeri që ndryshon një klasë ndryshon një shkollë e një njeri që ndryshon një shkollë ndryshon një qytet, një njeri që ndryshon një qytet ndryshon një komb, një njeri që ndryshon një komb mund të ndryshojë një kontinent dhe një njeri që ndryshon një kontinent mund të ndryshojë botën. Ti mund të ndryshosh botën! Edhe ti mund ta ndryshosh botën. Secili prej jush ka fuqinë dhe energjinë ta ndryshojë botën,” tha ai.

Veliaj u shpreh se ky është viti i Tiranës por edhe i gjithë të rinjve. “Ky është momenti ynë, kjo është koha jonë, kjo është dita jonë dhe ky është viti ynë, si Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe jam sot i përulur, jam sot me gjithë respekt, me gjithë dashuri, me gjithë falënderime për qindra çuna e goca që kanë punuar për tre vite që sot Tirana të ishte Kryeqytet Europian i Rinisë. Ju them me gjithë zemër: Faleminderit! Një mikpritje tironse të gjithë atyre që na kanë ardhur sot nga shumë vende të botës, atyre që na kanë ardhur nga Anglia, Italia, Franca, nga Greqia, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Nëse ju kam harruar, ju duam shumë. Welcome to Tirana!” përshëndeti në fjalën e tij kreu i Bashkisë.

Viti i cili ka në qendër rininë dhe e kthen Tiranën në epiqendrën e rinisë europiane u cilësua nga kryebashkiaku si shansi më i madh i Shqipërisë dhe i Tiranës. “Sot, – tha ai, – kemi një shans, kemi një instrument në dorë që quhet kryeqyteti Europian i Rinisë dhe ne shqiptarët e dimë si përballojmë sfidat. Ne rrëzohemi, por edhe ngrihemi shpejt bashkë. Ne kemi pasur dy vite të vështira edhe me tërmetin, edhe me pandeminë, por në momentet më të vështira ne kuptuam që kishim çuna e goca që trokitën në çdo derë me një kuti ushqimesh, me një kuti ilaçesh, me një telefonatë, një nevojë për ndihmë. Ndaj miqtë e mi kur kaluam këto histori të vështira si tërmeti dhe pandemia, imagjinoni çfarë mund të bëjmë në këtë vit, kur pandemia po shkon drejt fundit, ku pasojat e tërmetit po zgjidhen dhe kemi një mundësi që të festojmë dhe të punojmë si Kryeqyteti Europian i Rinisë”.

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Vodafone Albania e cila përshëndeti eventin u shpreh se, “Vodafone Albania gjithmonë ka qenë afër të rinjve, duke vënë në dispozicion fjalën më të fundit në teknologjinë e ndërlidhjes dhe fuqinë digjitale, për
të lidhur të rinjtë. Faleminderit që na jepni mundësinë për të bashkëpunuar dhe investuar në programe që fuqizojnë të rinjtë në këtë vend, në edukimin digjital, teknologji dhe përfshirjen digjitale. Do të na keni në krah gjatë këtij rrugëtimi të “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022”, krahas rinisë së mrekullueshme të këtij vendi, në rrugëtimin drejt një Shqipërie premtuese.”