Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka konfirmuar se Zlatan Ibrahimovic dhe Ante Rebic do të mungojnë kundër Interit nesër në derbin Della Madonnina, por është rikthyer qendërmbrojtësi Fikayo Tomori.
Interi dhe Milani përballen të shtunën pasdite në San Siro, në atë që shihet si një ndeshje vendimtare në garë për titull në Serie A këtë sezon, raporton Gazeta Express.
Kampioni në fuqi është lider i tabelës me 53 pikë, katër më shumë se Napoli dhe Milani dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, po ashtu.
Kuqezinjtë duhet të fitojnë patjetër nëse duan të mbesin në garë për titull dhe ish-ylli i Milanit beson se derbi do të jetë vendimtar vetëm nëse fiton Interi.
“Ne luajtëm shumë mirë kundër Juventusit, por na mungoi cilësia në sulm. Kjo është ajo që na duhet nesër. Ndeshja e nesërme është vendimtare dhe ne duam të fitojmë”, tha Pioli.
Ai i konfirmoi edhe mungesat e pritura të dyshes sulmuese, por qendërmbrojtësi Tomori do të jetë të paktën në stol.
“As Zlatani (Ibrahimovic) e as Ante (Rebic) nuk janë në dispozicion. Tomori punoi fort dhe mendoj se ai do të jetë në dispozicion, edhe pse mund të mos jetë titullar”, shtoi ai.