Emri i tij ka kohë që përmendet mes kan didatëve për të marrë drejtimin e Mançester Junajtidit, por Ralf Hazenhytel vazhdon të këmbëngulë se nuk mendon për një gjë të tillë dhe është i lumtur te Sauthemptoni.

Pak orë më parë, lojtari i tij, Jan Bednarek, pranoi se austriaku meriton të stërvisë skuadrën më të mirë në botë. Hazenhytel po bën një punë të shkëlqyer te “Shenjtorët”, të cilët renditen në mes të klasifikimit me vetëm 1 humbje në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Shumë emra të mëdhenj të futbollit në Angli besojnë se 54-vjeçari është profili ideal për të marrë rolin e Ralf Rangnikut në fund të sezonit, kur gjermani të largohet nga stoli i “Old Trafford” dhe të marrë detyrën e këshilltarit.

“Kjo nuk është në mendjen time dhe janë gjëra që nuk më interesojnë. Nuk dua të flas për të ardhmen time çdo javë. Javën e shkuar ne folëm për gjëra të ndryshme dhe këtë javë duhet të flasim për ndeshjen që kemi kundër Evertonit.

Kjo është më shumë interesante për mua. I gjithë fokusi im dhe energjia është te kjo ndeshje. Gjithçka tjetër do t’ua lë njerëzve të tjerë”, tha tekniku i Brojës në konferencë.

Sfida e nesërme me Evertonin është e para nga 4 ndeshjet në shtëpi që “Shenjtorët” do të luajnë në kampionat dhe Kupë. Pasi ekipi i tij u mori pikë dy Mançesterëve dhe mundi Totenhemin në transfertë, austriaku kërkon përqendrim nga lojtarët:

“Jemi në një formë të mirë. Kemi luajtur disa ndeshje të forta javët e fundit. Humbëm vetëm me Uolvesin dhe pjesa tjetër ishin shumë të forta, Siti, Totenhemi dhe Junajtidi. Fakti që nuk humbëm është pa dyshim një hap përpara. Por, kjo nuk do të thotë se tani jetën do ta kemi më të lehtë. Me skuadrat që do të na vizitojnë ti mendon se do të jetë më e lehtë, por nuk është kështu”.

Një nga temat që ai preku ishte edhe partneriteti i Brojës dhe Adamsit në sulm që po shkon shumë mirë. Të dy kanë shënuar nga 6 gola në kampionat dhe kanë qenë titullarë në tri ndeshjet e fundit ku skuadra nuk është mundur:

“Normalisht që dy sulmues të mëdhenj në fushë nuk është gjithnjë gjëja më e mirë mendoj. Por, ata kanë cilësi të ndryshme vrapimi dhe po ndihmojnë shumë mirë njëri-tjetrin. Tani kemi dy kërcënime”.