Nga Brian Todd, CNN/
Teksa po tërheq Europën buzë luftës, ish-koloneli i KGB-së në Kremlin po akuzohet nga zyrtarët amerikanë se po fabrikon pretekste për të pushtuar Ukrainën. Analistët thonë se Ukraina është çështje personale për Vladimir Putin. Në fillim të presidencës së tij ai u pati thënë në një fjalim para kombit: “Vdekja e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”.
Për një ish-republikë Sovjetike, Putin kishte keqardhje të veçantë që e kishte humbur. “Për të, Ukraina ishte diamanti i humbur i kurorës”, thotë për CNN, Susan Glasser, bashkautore e librit “Ngritja e Kremlinit”. “Ukraina për të është një vend motër, për të shkroi një ese të plotë, duke përdorur një përrallë pseudohistorike se pse Ukraina nuk duhet të ishte shtet më vete, e ndarë nga Nëna Rusi”.
Në atë ese, të vitit 2015, Putin shkroi se rusët dhe ukrainasit janë një popull. Sipas tij, Ukraina moderne ishte formësuar në një pjesë të madhe, në tokën e Rusisë historike.
Ekspertët thonë që Putin gjithmonë ka menduar se shtetet në periferi të Rusisë duhet të jenë pro-rusë. Prandaj e sheh si kërcënim për këtë ideal qeverinë ukrainase, miqësore me Perëndimin. Por gjithashtu thonë se njeriu i lindur dhe rritur në Shën Pjetërburg, kryeqytetin e carëve, mendon edhe për trashëgiminë e tij kur bëhet fjalë për Ukrainën.
“Ai dëshiron që trashëgimia e tij të jetë si ajo e carëve të mëdhenj të së shkuarës, apo krerëve të Bashkimit Sovjetik, edhe ai ta lërë Rusinë si një superfuqi, që duhet pasur frikë, duhet respektuar dhe trajtuar me seriozitet”, thotë për CNN John Sipher, ish-shefi i Programit për Rusinë në CIA.
Analistët thonë se Putin ka reaguar për shkak se gjithmonë ka menduar se administratat e mëparshme amerikane e kanë vlerësuar Rusinë si një fuqi më të vogël, dhe “shtriqja e muskujve” në Ukrainë është mënyra e tij për të ruajtur rëndësinë e vendit të tij në arenën ndërkombëtare.
“Ai dëshiron që njerëzit të shkojnë në Rusi, për të zgjidhur problemet globale”, thotë Sipher. “Mendon se është më mirë të jesh kërcënim për të tjerët, sesa mos të të respektojnë, ose të të injorojnë”.
Por ekspertët mbi çështjet e Kremlinit thonë se këtë herë, Putin mund ta ketë tepruar me sjelljen e tij. “Mund t’i ketë bërë llogaritë tmerrësisht gabim”, thotë Glasser, gjithashtu analiste e çështjeve globale në CNN. “Lufta sjell pasoja të paparashikueshme. Pasojat ekonomike të një pushtimi të mundshëm do të ishin tepër të mëdha”.
Sado i fuqishëm mund të jetë Vladimir Putin, analistët mendojnë se lufta e hapur në Ukrainë, mund të dëmtojë trashëgiminë e tij, e madje edhe të kërcënojë qëndrimin e tij në pushtet. Shembulli më i mirë për këtë, sipas ekspertëve është fakti që humbjet e mëdha njerëzore në Afganistan kontribuuan për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.