Ukraina pritet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, sipas vendimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtarë të vendit, shkruan BBC

Pas një takimi të këshillit, zyrtari i lartë i sigurisë Oleksiy Danilov tha se gjendja e jashtëzakonshme do të vendoset në të gjitha rajonet përveç Donetsk dhe Luhansk, ku forcat ukrainase janë tashmë në luftë me separatistët e mbështetur nga Rusia.

Gjendja e jashtëzakonshme fillimisht do të zgjasë 30 ditë. Megjithatë, vendimi duhet të miratohet nga parlamenti ukrainas.

Ky vendim erdhi pas deklaratës së kryeministrit të Australisë, Scott Morrison, i cili tha se një “pushtim në shkallë të plotë” i Ukrainës “ka të ngjarë” të ndodhte brenda 24 orëve. Morrison, i cili ka njoftuar sanksione të reja kundër Kremlinit, tha se forcat ruse tani janë në “gatishmërinë maksimale për të pushtuar Ukrainën, dhe kjo ka të ngjarë të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme”.

Ndërkohë Vladimir Putin tha se Moska ishte e gatshme të kërkonte “zgjidhje diplomatike” në krizën e vazhdueshme në Ukrainë.

“Vendi ynë është gjithmonë i hapur për dialog të drejtpërdrejtë dhe të ndershëm, për gjetjen e zgjedhjeve diplomatike. Interesat e Rusisë, siguria e qytetarëve tanë, janë të panegociueshme për ne”, tha presidenti rus në një video-mesazh të publikuar të mërkurën.