Këtë të premte në një reagim ushtria e Ukrainës ka bërë me dije se dy ushtarë të saj janë plagosur si pasojë e “zjarrit të armikut” përgjatë vijës së frontit në Ukrainën lindore.
Mediat e huaja bëjnë me dije se nga Ukraina është theksuar se dy efektivë kanë ngelur të plagosur në një aksion të zhvilluar në Ukrainën Lindore.
Ndër të tjera theksohet se të plagosurit ndodhen në spital një prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Ushtria njoftoi se separatistët e mbështetur nga Rusia kishin kryer 33 shkelje të armëpushimit, duke përfshirë 22 incidente në të cilat ata qëlluan me armë të ndaluara nga Marrëveshjet e Minskut.
Theksojmë se lufta në Ukrainën lindore filloi në vitin 2014 dhe ka marrë jetën e më shumë se 14 mijë njerëzve. Luftimet intensive në 2014 dhe 2015 lanë pjesë të Luhanskut lindor dhe Donetsk në duart e separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Ato zona të kontrolluara nga separatistët në rajonin e Donbasit të Ukrainës, u bënë të njohura si Republika Popullore e Luhanskut (LPR) dhe Republika Popullore e Donetskut (DPR).
Qeveria ukrainase në Kiev pohon se të dy rajonet janë në fakt të pushtuara nga Rusia. Republikat e vetëshpallura nuk njihen nga asnjë qeveri, përfshirë Rusinë. Qeveria ukrainase refuzon të bisedojë drejtpërdrejt me asnjërën nga republikat separatiste.