Kurba e përhapjes së koronavirusit në mbarë globin vijon trendin rënës, teksa në javën e fundit u shënuan 21 për qind më pak raste të reja. Rënien më të madhe e ka raportuar Amerika e Veriut me 41 për qind raste më pak, dhe pas saj vjen Europa me 24 për qind më pak infektime.
Uljen më të vogël e ka shënuar Azia me vetëm 7 për qind, kjo pasi në shumë shtete të këtij kontinenti vijon të ketë rritje të infektimeve me Covid. Tendi rënës i infektimeve që është shënuar javët e fundit duket se ka reflektuar edhe në trendin e fataliteteve. Kështu në mbarë botën numri i vdekjeve për shkak të Covid ka shënuar një rënie me 10 për qind krahasuar kjo me një javë më parë.
Sa i përket shteteve të tjera, Rusia kryeson listën me mbi 1.2 milionë infektime në 7 ditët e fundit dhe pas saj vjen Gjermania me një numër gati të barabartë me Rusinë dhe më tej renditen Brazili, Shtetet e Bashkuara dhe Franca.
Shtetet e Bashkuara, pavarësisht rënies që kanë raportuar për përhapjen e virusit, vijojnë të mbeten në krye të listës edhe në javën e fundit sa i takon jetëve të humbura me rreth 13 mijë viktima. Pas saj renditet Rusia me mbi 5 mije jetë të humbura.
Në mbarë botën në 7 ditët e fundit u shënuan rreth 13 milionë infektime dhe 68 mijë viktima.