Presidenti i SHBA, Joe Biden, në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, foli për situatën mjaft të tensionuar mes Rusisë dhe Ukrainës. Biden deklaroi se Presidenti i Rusisë, Valdimir Putin, ka shkelur sovranitetin e Ukrainës duke futur ushtrinë në këtë shtet dhe duke njohur dy rajone separatiste ndërsa shtoi se do të nisin sanksionet ndaj tyre.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi sanksionet ndaj Rusisë, duke e shkëputur qeverinë ruse nga financat perëndimore, pra bankat ruse do të ndërpriten nga sistemi financiar ndërkombëtar. Biden deklaroi se nuk kanë në plan të luftojnë me Rusinë por theksoi se do të qëndrojnë pranë aletarëve unrainas dhe NATO-s, si një mbështetje përballë agresionit nga ana e Rusisë.
“Kam autorizuar ushtrinë amerikane që të forcojë pozitat në Letoni dhe Lituani. Vladimir Putin ka rrethuar Ukrainën me 150 mijë trupa. Dje njohu si republika dy rajone separatiste dhe tani ka dhënë leje për të futur ushtrinë në Ukrainë duke shkelur sovranitetin e një shteti. Kjo është shkelje flagrante e ligjeve ndërkombëtare dhe duhet të marrë një përgjigje të prerë nga komuniteti ndërkombëtar. Unë e kam takuar Putinin para pak kohësh dhe i thash përballë se ne do të veprojmë nëse ata nisin luftën ndaj Ukrainës. Sot shpallim sanksionet e para ndaj Rusisë”, tha Biden duke theksuar se duke filluar nga nesër bankat ruse do të ndërpriten nga sistemi financiar ndërkombëtar.
Sakaq, Joe Biden tha se janë vendosur sanksione ndaj dy bankave ruse si edhe ndaj disa familjeve të pasura në Rusi, të njohura për afrimitetin me regjimin e Putin. Joe Biden deklaroi se fjalimet e Putin, tregojnë se Rusia s’ka interes të ndjekë dialogun e vërtetë për sigurinë europiane.
“Kërcënoi territorin e mbajtur më herët nga Rusia. Putin sulmoi të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar.”-tha Biden.