Kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi “Ditën Kombëtare të Sportit në Katar”, në minikampionatin e futbollit dhe basketbollit për fëmijë të organizuar në Parkun Olimpik, për të dhënë edhe një mesazh për Federatën Shqiptare të Futbollit. Veliaj tha se, sikur edhe FSHF-ja të kishte investuar, ashtu siç ka bërë këto vite Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Katarit për sportin, sot në Tiranë do të kishim mbi 100 fusha sportive për fëmijët.
“Unë edhe miku im, Ambasadori Al Marri, e kemi bërë punën tonë. Kemi investuar në shkolla dhe terrene sportive. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, duke filluar nga fushat në Laprakë te fushat te Parku i Liqenit. Por sikur të gjithë ata që e kanë për detyrë të bëjnë fusha futbolli ta kishin bërë detyrën e tyre sot do të kishim 100 fusha sportive në Tiranë. Ndaj secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, por ajo që është e rëndësishme është se, kush e ka mundësinë le të ndihmojë, të kontribuojë dhe të lërë një shenjë, ashtu siç kemi lënë një shenjë me vëllezërit dhe motrat tonë nga Katari,” tha Veliaj.
Ai falenderoi shtetin mik të Katarit për një sërë veprash të reja arsimore në kryeqytet dhe u shpreh se investimi në sport nis sot për një rezultat nesër.
“Shkolla “Lasgush Poradeci”, “Kopshti 42”, shkolla “16 Shtatori” dhe shkolla “Jeronim De Rada” janë 4 investime fantastike në shkolla dhe terrene sportive, që provojnë më së miri miqësinë speciale mes dy vendeve tona. Katari ka vite që ka investuar në sport, ama vetëm vjet, në lojërat olimpike të Tokios, Fares El Bak, peshëngritësi nga Katari, arriti të sjellë medaljen e parë olimpike, duke u shpallur kampion bote në peshën 96 kg. Kjo tregon se edhe një vend i pasur duhet të investojë në sport për vite të tëra, derisa të marrë një medalje. Ndaj, investimi në sport fillon sot, që të kemi rezultat nesër,” nënvizoi Veliaj.
Ambasadori i Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al Marri shprehu falenderimin e veçantë për kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, me të cilin, tha ai, aktivitetet sportive, aq të rëndësishme për shtetin e Katarit, janë bërë të përvitshme në kryeqytet.
“Ky vit është shumë i veçantë për shtetin e Katarit, pasi pret kampionatin botëror të futbollit Qatar 2022, i cili është kampionati i parë që do të zhvillohet në rajonin e Lindjes së Mesme. Ne jemi të sigurtë që shteti i Katarit do ta organizojë me sukses këtë kampionat, në mënyrë që të jetë edhe një mesazh paqeje në të gjithë botën,” deklaroi ambasadori.