Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha në Kuvend se pushtimi i Ukrainës është shkelje e marrëveshjeve të firmosura nga vetë Rusia. Xhaçka theksoi se po koordinohen me BE-në për sansksione të rënda ndaj Rusisë. Xhaçka deklaroi se tre shqiptarë kanë kërkuar ndihmë në Ukrainë, ndërsa i është sugjeruar të largohen në rrugë tokësore drejt Polonisë, ku do të priten nga ambasada shqiptare atje.
Pushtimi i Ukrainës është shkelje flagrante e marrëveshjeve të firmosura nga vetë Rusia, e së drejtës ndërkombëtare në tërësinë e vet, dhe e Kartës së OKB-së. Shqipëria mbështet me vendosmëri pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Ukrainës, në respekt të parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane dhe globale, të dhe angazhimeve ndërkombëtare. Shqipëria dënon aktin e agresionit rus dhe e konsideron atë jo vetëm një akt kundër Ukrainës, por dhe kundër themeleve të rendit dhe sigurisë ndërkombëtare.
Si bashkë-penë-mbajtëse: në koordinim me vendet e njëmendta – Shqipëria mori fjalën e para në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit mbajtur menjëherë sapo Rusia deklaroi njohje e pavarësisë së të ashtuquajturave republika të Doneskut dhe Luhanskut, duke hapur për diskutim në Këshillin e Sigurimit të gjitha çështjet që lidhen me krizën në-dhe-përreth Ukrainës.
Përsëri si bashkë-penë-mbajtëse me SHBA për Ukrainën dhe në bashkërendim me vendet e tjera të njëmendta: Shqipëria po jep kontribut të mirëfilltë në hartimin projekteve të dokumenteve që do të shtrohen për diskutim në Këshillin e Sigurimit.
Në kuadër të OSBE: në mbledhjen urgjente të thirrur pas njohjes së pavarësisë së të ashtuquajturave republika të Doneskut dhe Luhanskut, Shqipëria ka mbajtur qëndrim të fortë në mbështetje të pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, të parimeve të bashkëpunimit dhe të arkitekturës së sigurisë të ngritur nga kjo organizatë.
Shqipëria po vazhdon të koordinohet me vendet aleate në kuadër të NATO-s dhe OSBE-së, në takimet e nivelit të lartë që po përgatiten në këto organizata, dhe në dialog me Bashkimin Evropian, për një reagim të bashkërenduar që do të përfshirjë sanksione të rënda kundër Rusisë.
Sulmi ndaj sigurisë evropiane qe u be flagrant sot, e bën edhe më të domosdoshëm një front të bashkuar në mbrojtje të parimeve themelore, që të përfshijë edhe rajonin tonë. Dhe Shqipëria ka luajtur dhe po luan rol udhëheqës në këtë drejtim: Në rajon ne jemi jo vetëm vend anëtar i NATO-s, por dhe vend që bashkohet 100% me qëndrimet e Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Shqipëria nuk është mjaftuar vetëm me fjalë dhe linjëzim politik me BE, SHBA, MB dhe vende të tjera të njëmendta: që në krye të herës i jemi bashkuar sanksioneve ekonomike që BE vendosur ndaj Rusisë, duke marrë mbi vete edhe sanksionet që Rusia ka vendosur si reagim.
Dje vendosëm t’i bashkohemi deklaratës së Bashkimit Evropian që dënoi fuqishëm vendimin e Rusisë për të njohur rajonet e Donetsk dhe Luhansk, si entitete të pavarura dhe vendimin që pasoi për të dërguar trupa ruse në këto zona – deklaratë që përcaktoi se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë. Ne do të bashkohemi dhe me këto sanksione.
Ne kemi këmbëngulur prej kohësh që në këtë kohë rishfaqjeje të sulmeve ndaj sigurisë evropiane dhe të përpjekjeve për të ndërtuar sfera influence, është me rëndësi vendimtare që të mos u jepen mundësi aktorëve të tretë që të luajnë rol destabilizues në rajonin tonë – me rëndësi vendimtare për rajonin; me rëndësi vendimtare për sigurinë evropiane. Prandaj orientimi ynë euro-atlantik ka qenë i qartë dhe i palëkundur.
Në mbrojtje të stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe në Evropë, ne kemi theksuar prej kohësh dhe vazhdimisht shqetësimin për influencën destabilizues ruse në rajonin tonë dhe nevojën për t’iu kundërvënë. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të hapur, të qartë dhe të argumentuar ndaj politikës ruse në rajon dhe më gjerë, qëndrim që përputhet me atë të ShBA dhe BE dhe që e bën këtë qëndrimi të vendit tonë të dallueshëm në rajon.
Po ndjekim me vëmendje qëndrimin e vendeve të rajonit, por besojmë se edhe në këtë rast roli i Shqipërisë si një faktor i moderuar, stabilizues dhe konstruktiv do të ndihmojë në zvogëlimin e pasojave në rajon si rezultat i ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, situatë e cila mund të riaktivizojë elemente ekstremiste apo të dhunshëm, si dhe të aktivizojë skenarë politikë destabilizues.
Si një vend anëtar i NATOs na rritet edhe më shumë përgjegjësia për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Kjo e bën Shqipërinë të dallueshme dhe të aftë për të luajtur një rol udhëheqës në rajon.
Po e mbyll ndërhyrjen time, me vëmendjen që i kemi kushtuar qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Ukrainë, ndonëse në numër shumë të vogël dhe me familje të krijuara atje prej vitesh. Që para 10 ditësh, MEPJ ka bërë thirrje për largim nga Ukraina, duke dhënë numrat e kontaktit të vënë në dospozicion. Që prej atëherë, Ambasada jonw në Varshavë dhe Drejtoria Konsullore në MEPJ kanë qenë në kontakt me këta qytetarë shqiptarë. Deri më sot ata nuk kanë kërkuar asistencë për largim nga Ukraina. Vetëm sot, 3 qytetarë kanë kërkuar asistencë, pasi kanë prerë biletë avioni dhe fluturimet janë anulluar. U kemi sugjeruar kalimin me rrugë tokësore në kufirin me Poloninë ose Rumaninë dhe ambasadat tona në këto dy vende janë të gatshme për t’i pritur dhe asistuar.
Sa i përket shtetasve shqiptarë në Misionin e OSBE në Ukraniw: prej 11 të punësuarve (të sekonduarve) në këtë Mision, 6 janë larguar dhe 5 janë në Ukrainë. Jemi në kontakt me OSBE për zbatimin e Planit te evakuimit dhe kemi kontakt të vazhdueshëm për secilin prej të sekonduarve.”-tha Xhaçka.