Goli i Edin Dzeko në minutën e 47-të të ndeshjes Napoli-Inter 1-1 është i fundit i zikaltërve të Inzaghit. Ishte 12 shkurti dhe pas asaj ndeshje erdhën tri sfida radhazi pa gol për skuadrën e Simone Inzaghi. dy në kampionat, kundër Sassuolos dhe Genoa, një në Champions League, në “San Siro” kundër Liverpool-it.

Në Serie A, sulmi i zikaltërve është ndalur në 55 gola të shënuar në 26 ndeshje. Është ende sulmi më i mirë në Serie A, edhe pse në ditët e fundit, Milani dhe Lazio janë afruar ndjeshëm (tani janë me nga 53 gola të shënuar).

Lidhur me këtë shterpësi në finalizim, sulmuesi Edin Dzeko foli pas ndeshjes Genoa-Inter: “Kokat tona duhet të qetësohen, le të shikojmë përpara. Nuk ishte një periudhë e lehtë, duke parë ndeshjet e dy muajve të fundit me kaq shumë përplasje kokë më kokë. Asnjë skuadër tjetër nuk ka pasur kësi sfidash të vështira.

Kemi lodhje mendore, kjo na çoi në humbjen e pikëve të rëndësishme, por kampionati është ende i gjatë. Është e vështirë të shënosh gjithmonë 5 gola për ndeshje, po bëjmë mirë. Jemi ende një ndeshje më pak se Milani, ndaj duhet të shohim përpara. Nuk është kurrë e lehtë t’i shfrytëzosh sa më shumë mundësitë që ke. Ndonjëherë bën gabime sepse je i lodhur, ne shikojmë përpara dhe mendojmë pozitivisht”.