Në Shkodër u prezantua sot kandidatja e Partisë Socialiste për kryetare të bashkisë, Majlinda Angoni. Angoni u prezantua nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në fjalën e saj, Angoni kërkoi që shkodranët t’i besonin votën për t’i kthyer Shkodrës atë, që sipas saj “i ka munguar për 30 vite”.
Ajo premtoi se, nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Shkodrës, do të punojë me prioritet për projekte që do të krijojnë një ambient të shëndetshëm për zhvillimin e komunitetit.
“Do të punoj për një qytet më të pastër dhe një Shkodër tjetër plot energji. Nuk keni pse prisni 3 dekada të reja, por vetëm 300 ditë për të vlerësuar zgjedhjen midis të ardhmes të fëmijëve të tuaj dhe alternativës 32-vjeçare të shkuar dëm prej një partie që dëshmon çdo ditë regres duke mos u shkëputur dot nga e kaluara e saj. Shkodranët nuk kanë më kohë për të humbur. Prioritet do të jetë çuarja para e projekteve për të krijuar një ambient më të shëndetshëm për zhvillimin e komunitet dhe mjedisit ku jetojmë duke e nisur nga familja, sepse një familje e fortë është një shoqëri e fortë, është një Shkodër”, tha ajo.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri u shpreh se shkodranët kanë shansin historik që të bëjnë zgjedhjen e duhur.
“Sot është ditë e veçantë që kemi një përfaqësuese tuajën që ka shansin historik që t’i kthejë Shkodrës atë që i ka munguar në 30 vite. Ajo është pjesë qytetit tuaj, e ka ndërtuar karrierën e saj vetë. Shkodranët këtë duan. A mund të përdoret Shkodra thjesht si një bastion politik i krahut, një kështjellë për betejën që ka krahu tjetër tjetër? Ndaj them që ky është moment historik, Shkodranët duan zhvillim, duan që qeverinë ta kenë nga prapa. Kjo është rruga me Majlindën, rruga tjetër është e eksperimentit për t’u përgatitur kush kontrollon opozitën. Mendoni për veten tuaj, mos u ktheni pjesë e një eksperimenti të dështuar mes dy njerëzish të dështuar që janë si ata bashkëpunëtorët në një krim dhe duan ti hedhin fajin njëri-tjetrit. Mesazhi është: votoni Majlindën për të kuptuar që nuk ju duhen dy njerëz që janë humbës, njëri humbës kronik e tjetri një “non grata” pa rrugë e krye. Lufta e tyre për Shkodrën është kush e kontrollon për të ndërtuar atë kampin e tyre”, u shpreh Gjiknuri.
Ndërsa ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha se “vota për Majlinda Angonin hap një kapitull të ri jo thjesht për bashkinë që duam, por për Shkodrën që duam, që ajo të ecë me ritmin e kohës dhe të bëhet vendi ku doni të jetoni e rrisni fëmijët tuaj”.
Në garën e 6 marsit Angoni do të garojë përballë Xhemal Bushatit që do përfaqësojë PD-në dhe Bardh Spahisë, kandidati i koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’.