Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin vjen në Tiranë ditën e enjte. Burime të RTSH Sport pranë kabintetit të Kryeministrit Rama bëjnë me dije se slloveni do ketë një vizitë një ditore në kryeqytetin shqiptar.
Ndonëse përflitej se Ceferin duhet të mbërrinte ditën e hënë, kjo nuk u arrit për shkak të agjendës së tij të ngjeshur. Ditën e enjte, Presidenti I UEFA-s pritet të ketë një takim të veçantë me kryeministrin Edi Rama, takim në të cilin nuk pritet të jetë pjesë Duka, ndërkohë që Presidenti i FSHF-së, do të ketë një tjetër takim dhe drekë pune me numrin një të organizmit më të madh të futbollit evropian.
Arsyeja e kësaj vizite të Alexander Ceferin është padyshim periudha zgjedhore para Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, e cila duket e tensionuar.
Nga njëra anë flitet për manipulim të zgjedhjeve për Shoqatat Rajonale dhe nga tjetra flitet për një ndërhyrje të politikës në këtë proçes zgjedhor. Vetë Rama nuk është prononcuar kurrë për zgjedhjet në FSHF, ndërkohë që kjo vizitë duket se do të sqarojë shumë çështje…