Nafta përbën një ndër produktet më të rëndësishme në sektorin bujqësor. Rritja e cmimit të këtij produkti përkthehet në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimit të produkteve bujqësore. Eksperienca botërore ka treguar se zbutja e kostove të naftës për një fermer ka një impakt direkt në uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e fitimit. Për këtë arsye prej dy vjetësh qeveria shqiptare ofron dhe naftënm për fermerët pa taksa dhe tatime. Buxheti që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka në dispozicion për vitin 2022 është më i larti krahasuar me një vit më parë me 1.45 miliardë lekë me qëllim që ndihma të shtrihet në një numër sa më të madh fermerësh.
Burime nga MBZHR theksojnë se “edhe këtë vit skema e mbështetjes së fermerëve me naftë falas do të jetë masa më e rëndësishme si për sa i përket fondit që pritet të përthithë ashtu edhe numrit të fermerëve që do të prekë”. Kjo sigurisht që pritet që të rezultojë në një numër më të madh aplikantësh në numër por edhe në më shumë litra naftë të dhëna falas në zonën rurale. Shifrat paraprake të aplikimeve tregojnë një interes të vecantë të fermerëve për këtë masë mbështetëse. Në Agjencinë e Zhvillimit rural dhe Bujqësor (AZHBR), konfirmojnë se aktualisht dhjetë ditë përpara mbylljes së procesit, kanë aplikuar rreth 45% më shumë fermerë krahasuar me një vit më parë. “Fermerët para një viti morën për hërë të parë naftë falas pas një procedure e cila zhvillohej në e-Albania, me një numër minimal dokumentesh, ndaj këtë vit kishim besimin se kjo skemë është një tjetër mundësi e rëndësishmë për të mbështetur fermën e tyre”, – thonë specialistët e AZHBR. Aktualisht masa mbështetëse e naftës po përballet me një shifër rekord aplikimesh, më shumë se 28 mijë fermerë nga i gjithë vendi për prodhimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Deri tani, llogaritet që të jetë aplikuar për më shumë se 7.22 milionë litra naftë falas.
Një punonjës i agropikës i cili po ndihmonte një fermer në aplikim, na konfirmoi se nuk kishte ndodhur asnjëherë që për skemat e tjera që fermerët të prisnin në radhë për të bërë aplikimin e tyre megjithë numrin e madh të njësive që lehtësojnë aplikimin e fermerëve, më shumë se 73 pika në të gjithë vendin. “Përvec se në cdo telefon celular, tablet apo kompjuter ne jemi këtu cdo dite te javës nga e hëna në të premten, për të ndihmuar fermerët deri në datën 25 Mars kur aplikimet do të mbyllen” shprehet punonjësi i Agropikës. Ky interes është i kuptueshëm kur skema e naftës mbështet kulturat kryesore bujësore në vend. Në kushtet e rritjes së cmimeve për produktet plehëruese dhe inputet e tjera bujqësore, si pasojë e rritjes së cmimeve ndërkombëtare, kjo skemë mbështetëse vjen si një “burim i freskët uji” atje ku më parë dukej se kishte vetëm shkretëtirë. Aplikimet tregojnë se në skemë kanë aplikuar fermerët që kultivojnë rreth 40% të siprfaqes së grurit në vend, apo rreth 50% të sipërfaqes së misrit. Në situatën e bllokimit të tregjeve të furnizimit me grurë dhe misër dhe rritjes së cmimeve të këtyre kulturave, kjo merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për bujqësinë dhe treguesit e saj ekonomikë por edhe për sigurinë ushqimore të vendit.
Një fermer i cili po bënte aplikimin në një agropikë në Berat, kishte një sipërfaqe prej 0.8 ha me ullinj. “Vitin e kaluar mbetëm të zhgënjyer që kultura e ullirit nuk ishte përfshirë në masën e naftës. Për ne në zonën e Beratit kjo na dëmtonte shumë, ndaj kur mora vesh që këtë vit ulliri ishte përfshirë në skemë, doja të isha ndër të parët që te aplikoja. Unë,- thotë fermeri,- kisha NIPT fermeri, dhe sipërfaqe më shumë se sa 0.4 ha ndaj edhe plotësoja kushtet e aplikimit. Ndërsa në zyrën e Agropikës na konfirmohet se dokumentat që duhen për tu aplikuar do të jenë të njëjtat me ato të vitit të shkuar” – vazhdon fermeri. Në vitin e shkuar, rreth 20 mijë fermerë në të gjithë vendin përfituan më shumë së 4 milionë litra naftë falas. Këtë vit parashikohet që numri i aplikimeve të jetë mbi 30 mijë dhe numri i litrave të naftës së shpërndarë më shumë se 8 milionë litra. Në kohë krizash si kjo që po jetojmë, reagimi i parë i shoqërisë është kthimi i shikimit tek bujqësia dhe detyra e saj për të ofruar ushqime të sigurta dhe të lira. Duket se kujdesi publik për sektorin bujqësor është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe mbështetja me naftë falas është një ndër mëkanizmat më të suksesshëm të sigurisë së punës së fermerëve.