Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në njësinë administrative Manzë, në qytetit e Durrësit për t’u dorëzuar banesat e reja qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Lagja e re përbëhet nga 230 apartamente të tre tipologjive të ndryshme dhe 133 banesa individuale sipas standardeve bashkëkohore dhe atyre europiane.
Kryeministri tha se:”Janë tuajat si pronë e patundshme dhe si trashëgimi për fëmijët tuaj falas. Ky është një nga ato momente kur njeriu që për shkak të detyrës duhet të përballet çdo ditë më shumë sulm dhe pengesa, thotë hallall të gjitha sepse ia vlen jashtëzakonisht shumë që duke bërë këtë detyrë t’u gjendesh pranë kaq shumë njerëzve në një hall kaq të madh si tërmeti. Ia vlen që të jesh aty për kaq shumë njerëz dhe së bashku më të tjerë të bësh të mundur që në një kohë relativisht të shkurtër mijëra familje të kthehen në shtëpi më të sigurta, të bukura dhe më të mira se ato që humbën.
Ky është një hap i madh përpara që e kemi hedhur së bashku, ndihem krenar për punën që kemi bërë dhe mbi të gjitha për besimin tuaj, besim qe ju ia dhatë përsëri masivisht Anit, kryetares së bashkisë, e cila është një shembull i përkushtimit, seriozitetit, durimit dhe i të qëndruarit pranë njerëzve e përulur dhe modeste. Kjo lagje e re është një shembull kuptimplotë i asaj që ne mund të bëjmë së bashku me Anin.”
Rama shtoi se “Ne jemi shumë krenar që në kujtimin e gjithë rrjedhës së ngjarjes, iu gjendëm pranë jush me gjithçka mundëm dhe sot po japim provën se kur themi që asnjëherë askënd që është në një hall të madh nuk do e lëmë vetëm, kjo nuk është vetëm një fjalë e bukur por një fakt. Edhe në këtë rast nga fatkeqësia jo e shkaktuar nga natyra po nga njerëzit, dhe jashtë këtij vendi, por që ka ndikim edhe tek ne, ne do të jemi pranë atyre që do të kenë më shumë nevojë.”