Ish-sulmuesi i madh brazilian Adriano Leite Ribeiro (40 vjeç) është kapur me një birrë në dorë, mbi një skuter, në gjendje të avancuar dehje, çka nuk të kujton më gjenialitetin e tij të fushës.

Imazhet u përhapën shpejt në Brazil, më pas në botë. Fansat janë të habitur sesi Adriano zgjodhi ta kalojë jetën e tij pas tërheqjes nga futbolli. Ish-sulmuesi duket se nuk ka asnjë lidhje me sportin, ka shumë kilogramë të tepërt dhe duket shumë i lidhur me shishen e alkoolit.

Kujtojmë se Adriano doli në “pension” më 28 maj 2016, në moshën 34-vjeçare. Ai mund të kishte luajtur deri më sot, nëse nuk do të dërrmohej nga dëmtimet me kalimin e kohës, por edhe nga jeta ekstrasportive që krijoi.

Adriano ishte një nga sulmuesit më të vlefshëm në botë në fillim të shekullit të 21-të, kur luajti për Parmën dhe Interin. Që nga viti 2006, karriera e tij mori të tatëpjetën dhe nuk ishte më sulmuesi që mahniti futbollin botëror.

Ai ka luajtur edhe për Sao Paulo, Flamengo, Roma, Corinthians, Atletico Paranaense dhe Miami United, por pa sukses. “Perandori” nuk mundi ta kapërcente dot dhimbjen e vdekjes së të atit dhe u zhyt në alkool, drogë dhe femra. Duket se edhe tani nuk iu shpëton dot veseve të së shkuarës.