Nga Skënder Minxhozi/
Imagjinoni një skenar të tillë jo shumë abuziv apo ëndërrimtar: Sali Berisha shpallet i pezulluar nga grupi parlamentar një ditë para nisjes së punimeve të Kuvendit të ri në shtator 2021. Doktori e ndrydh mllefin dhe mban gishtat në tastierën e Facebookut. Shprehet se vendimi është i padrejtë, se Lulzim Basha e ka prerë në besë dhe se këtej e tutje do të luftojë brenda partisë që të kthejë rrotën e historisë në drejtimin e vet. Në vend të shpatës, merr kartë e penë. Nuk shpall krijimin e një partie paralele, nuk bën as kongres paralel por e sfidon Bashën në kongresin e tij të 18 dhjetorit, i gërryen gradualisht strukturat në qendër dhe bazë, i merr kryesinë dhe delegatët dhe inicon një votim plebishitar brenda partisë për ta hequr kryetarin në detyrë. Qëndron në një cep duke pritur momentin, në bazë të aksiomës “hakmarrja është një gjellë që hahet e ftohtë”!
Nëse do të kishte vepruar kështu, sot, gjashtë muaj më pas, nuk do të kishim tre palë në zgjedhjet e 6 marsit, por vetëm dy: PS dhe opozitën. Nga e dimë këtë gjë? E dimë zyrtarisht të gjithë tashmë, sepse rezultati i 6 marsit qe i pari që tregoi në shifra dhe konkretisht, sesa vlejnë dy palët e krijuara në PD pas krizës së shtatorit 2021. S’ka më firma tek zyra e Edi Palokës, as 5000 delegatë për 2000 karrige!
Por ja që s’ndodhi kështu: Doktori ndoqi instiktin, jo logjikën. I besoi zemëratës, jo llogarive. Përkundër asaj që ka bërë gjithë jetën, në këtë rast ai e la llogoren, e çfarë llogoreje: la partinë që kishte themeluar, për t’u endur kafeve rrotull selisë, në pritje që Luli të mërzitet duke ndërruar bravat e dyerve.
Zgjedhjet e kësaj të diele janë një sqarim mbarëkombëtar mbi raportin e forcave në Partinë Demokratike. Përtej apatisë totale që e ka kapur opozitën, e që u duk tek abstenimi masiv, pjesa e fortë e votuesit të djathtë është shprehur për Foltoren e Berishës, në raportin një me tre. Meqë për fituesin e vendit të parë s’ka më ndonjë interes apo kuriozitet, fituesi i vendit të dytë është i qartë kudo ku është votuar. Ai është Sali Berisha, me Ilir Metën dhe Nard Ndokën si ornament elektoral.
Në vend që të gëzohet për Shkodrën e të hidhërohet për Dibrën, Sali Berisha duhet të dëshpërohet thellësisht për llogaritë e gabuara që bëri në vjeshtën e vitit të shkuar. Sepse me këtë raport forcash me Lulzim Bashën, që kutitë e votimit treguan, ai meritonte të ishte sot brenda selisë, e jo jashtë saj. Sado antihistorik e donkishotesk që të duket, ky është realiteti që tregojnë sot rezultatet e zgjedhjeve. Votuesi i PD do Sali Berishën, jo Lulzim Bashën. Do t’i shkojë pas një politikani me karton të kuq e në fund të karrierës, e jo të shohë përtej Bashës dhe Berishës. Shkaqet e kësaj zgjedhjeje janë debatuar e diskutuar pafund këto muaj, por tani që zgjedhjet folën, situata në PD duket e qartë.
E thënë kjo, Lulzim Basha vështirë se do të lëkundet disi nga pozicioni që mban në krye të PD-së zyrtare. Opozita ka treguar me cilin është, por kriza brenda PD është ende larg zgjidhjes. Teksa rezultatet po merrnin formë, Basha mori pjesë i pashqetësuar në një takim për festën e mësuesve, e vetëm më pas deklaroi se në zgjedhje fituan dy “non gratat” dhe se ka nevojë për reformë zgjedhore!
Gjithçka bën të mendosh se Basha është komod me selinë dhe vulën e partisë, se çfarë ndodh matanë gardhit s’i bën shumë përshtypje. Kjo sjellje nuk premton asgjë të mirë për ata që ndjehen fitues në 6 mars: Foltoren dhe Doktorin. Marrja e dështuar e “Bastijës” në 8 janar do të mbetet e tillë, Basha do të vijojë të flasë e të vulosë në emër të opozitës zyrtare dhe kjo do ta mbajë sërish të pazgjidhur krizën brenda të djathtës. Ashtu siç pritej Lulzim Basha quan fitore vetëm 8 janarin, e jo 6 marsin. Zgjedh selinë, jo garën elektorale. Çka përbën një arsye madhore për t’u pezmatuar e revoltuar për paraardhësin e tij që ja arriti të futet me ceremoni nga dera e madhe e Bashkisë së Shkodrës, por nuk ka arrin të hyjë as me shkallë zjarrfikësish në selinë e partisë që themeloi.