Një bazë e vjetër ajrore në Shqipëri do të shndërrohet në një bazë taktike operacionale të NATO-s. Në muajin janar filloi puna në bazën ajrore të Kuçovës për ta bërë atë një nyje moderne operacionale për disa lloje avionësh luftarakë të teknologjisë më të fundit. Agjensia Mbështetëse e Prokurimeve të NATO-s ka angazhuar një fond prej 55 milionë dollarësh për rinovimin e pistave të avionëve, depozitave të karburantit dhe depove të armatimit. Pritet që baza të bëhet operacionale deri në vitin 2023. Viktor Vangjeli, tashmë në moshën 83 vjeçare, shërbeu për 27 vite si pilot me avionët MiG-19, përpara se të dilte në pension në vitin 1990.
Ai thotë se gjatë Luftës së Ftohtë kishte fluturime të përditshme nga vendet fqinje në shkelje të hapësirës ajrore shqiptare. “Në situatat atëherë me Luftën e Ftohtë, intensiteti i fluturimeve në këtë regjiment ka qenë jashtëzakonisht i ngarkuar. Fluturohej ditë për ditë. Kishte edhe përgjegjësinë, deri në vitin 1962, që hapësirën ta mbronte ky regjiment, të të gjithë republikës”, thotë zoti Vangjeli.
Kolonel Adrian Kuli, i qendrës së trajnimit të forcave ajrore në Kuçovë thotë se baza do të kontribuojë si për Shqipërinë ashtu edhe për NATO-n. “Kthimi i bazës ajrore në Kuçovë në një bazë ajrore të Aleancës dhe në bazën e parë ajrore të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka një vlerë të shtuar për aleancën, por edhe për forcën tonë të armatosur”, thotë Kolonel Kuli.
Ish-piloti Vangjeli thotë se këtu do të përfitojnë edhe pilotët e rinj shqiptarë. “Patjetër që brezat që do të vijnë do të fluturojnë me avionët F-16. Patjetër. Ky është fillimi. Dhe si fillim, ata do të marrin eksperiencën e fluturimeve dhe organizimit të bazës sipas NATO-s. Pastaj do krijohen edhe forcat tona ajrore me avionë luftarakë. Patjetër”, thotë zoti Vangjeli.
Ai thotë se konvertimi i Kuçovës në një nyje moderne të infrastrukturës së NATO-s do të sillte ndikime pozitive dhe ekonomike për zonën. Të njëjtin mendim ka edhe Kolonel Kuli. “Absolutisht e saktë. Përveçse një impakti tejet pozitiv që ka aktualisht dhe jemi të bindur që do të ketë një impakt pozitiv, komuniteti mirëpret të gjitha punimet dhe investimet që do të kryhen këtu dhe jam i bindur që impakti pozitiv do shtrihet qoftë në impaktin social, qoftë në impaktin ekonomik dhe financiar, qoftë le të themi në infrastrukturë dhe shërbime të tjera që do t’i ofrohen këtij komuniteti. Ky komunitet do të përfitojë nga angazhimi i kësaj baze si bazë ajrore e NATO-s”, thotë ai.
Pas rënies së komunizimit, forcat ajrore shqiptare kishin mbi 200 avionë MiG. Në vitin 2005, avionët e prodhimit rus dhe kinez ndalën fluturimet. Për disa vite, disa avionë sovjetikë të tipit Antonov-2 u përdorën në funksion të bujqësisë dhe për qëllime të tjera. Forcat ajrore shqiptare disponojnë aktualisht helikopterë të tipit Cougar dhe pritet të marrin disa helikopterë Blackhawk, por jo avionë.