Sulmuesi Mario Balotelli ka deklaruar se do të mund ta ndihmonte Italinë për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror. Balotelli nuk u ftua nga Mancini për ndeshjet e play-offit të Kupës së Botës. Ai deklaroi se do të kishin pasur më shumë mundësi shënimi nëse do të kishte qenë ai. “Njerëzve gjithmonë u mungoj kur skuadra humbet. Është e lehtë të flasësh për mua tani, por askush nuk mendoi për mua para ndeshjes. E pashë ndeshjen dhe pashë mundësi për të shënuar. Jam shumë mirë në portën e kundërshtarit. Nuk dua të them se do të kishim fituar nëse do të kisha luajtur, por kishim disa mundësi për të shënuar. Nuk kam komunikuar me Mancinin, por kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe më vjen shumë mirë që do të qëndrojë, aq më tepër që pas dy vitesh në krye të skuadrës doli kampion i Europës”, tha ai.

Tutje, ai e mbrojti trajnerin e Italisë, Roberto Mancinin, duke thënë se ka bërë punë të shkëlqyer. “Po, dhemb që nuk do të shkojmë në Katar. Por nuk duhet harruar se së fundmi ky trajner ka drejtuar një skuadër që ndonëse e fortë nuk konsiderohej si pretendente për fitoren në Euro 2020. Mancini bëri një punë të shkëlqyer. Ai e meritonte mundësinë për të vazhduar punën e tij”, tha sulmuesi i Adana Demirspor për Sky Sport Italia.