Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të takohen sot për të diskutuar opsionet për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë, si dhe për të bërë plane për t’i dhënë fund varësisë energjetike të Bashkimit Evropian nga Moska.
BE-ja duhet të bjerë dakord me planet për t’u siguruar që blloku nuk do të financojë më veprimet ushtarake ruse”, tha sekretari sllovak i Shtetit për Çështjet Evropiane Martin Klus në Bruksel.
Blloku është përpjekur të dëmtojë ekonominë e Kremlinit dhe të ndalojë pushtimin rus të Ukrainës përmes vendosjes së sanksioneve të paprecedenta të zhvilluara në katër raunde, që shënjestrojnë kompanitë, oligarkët dhe bankat ruse.
Sektori rus i energjisë deri më tani i ka shpëtuar sanksioneve për shkak të shqetësimeve rreth rritjes së çmimit të energjisë në Evropë.
“BE-ja duhet të zbatojë sanksionet e miratuara në një masë të paprecedentë në mënyrë të vazhdueshme”, tha ministrja gjermane për Klimën dhe Punët e Jashtme të BE-së, Anna Lührmann.
Vëmendje po i kushtohet gjithashtu financave që rrjedhin nga BE-ja në Kremlin përmes importeve ruse të energjisë, ku liderët kanë qënë më të tërhequr për të sanksionuar sektorin energjetik rus.
Për të ndaluar këtë, BE-ja synon të rrisë investimet në energjinë e rinovueshme, si dhe të marrë furnizime të reja me energji si gazi natyror i lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe vendet e tjera.
Ministrat e BE-së pritet të diskutojnë gjithashtu planet për të adresuar kostot e larta të energjisë në të gjithë bllokun përpara një samiti të liderëve të BE-së të enjten.
Spanja, Greqia dhe Italia po bëjnë presion për ndërhyrje më të drejtpërdrejtë në tregun e energjisë përmes kufizimeve të çmimeve, ndërsa po përballen edhe me rezistencën nga ana e Gjermanisë, Austrisë dhe Holandës.