Udhëheqësit e BE-së do të bëjnë thirrje për sigurimin e një fondi solidariteti për të mbështetur ekonominë e Ukrainës në kuadër të pushtimit rus gjatë një takimi këtë javë, sipas një deklarate.

“Fondi do të mbështesë Ukrainën pas shkatërrimeve dhe humbjeve të mëdha që i janë shkaktuar vendit nga Rusia”, sipas deklaratës së hartuar përpara një samiti të BE-së të enjten.

Në deklaratë kërkohet që të mbahet një konferencë ndërkombëtare donatorësh për të plotësuar kërkesat financiare të Ukrainës dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas luftës.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 90% e Ukrainës rrezikon të bjerë në varfëri si rezultat i konfliktit. “Rreth 3.5 milionë refugjatë janë larguar tashmë nga lufta”, sipas organit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.

“Ideja për sigurimin e një fondi solidariteti për Ukrainën u diskutua fillimisht mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel të premten e kaluar”, sipas një zyrtari të BE-së.

“Fondi do t’i ofrojë Kievit akses në financat që nuk janë të disponueshme, përmes huamarrjes së rregullt në tregjet ndërkombëtare, si rezultat i pushtimit rus”, tha zyrtari.

Mbështetja financiare do të kompensojë gjithashtu reduktimet në investimet private në ekonominë e Ukrainës.