Kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj deklaroi pas mbledhjes së grupit që ka zgjatur më pak se një orë se hapi i parë drejt bashkimit të demokratëve është ndërprerja e gjuhës linçuese dhe e proceseve paralele nga grupi i rithemelimit.
“Sinjalet nuk mund të jepen duke pushuar selinë, duke ardhur në mënyrë të dhunshme si Berisha.
Ka një vendim të parlamentit, i cili ka konstituar cili është grupi parlamentar i PD, Berisha nuk është pjesë.
Për të gjetur gjuhën e përbashkët, ca akte të rëndësishme që të perceptohen nga njerëzit, ndërprerja e gjuhës linçuese, proceset paralele që zhvillohen për të thelluar ndasinë nuk japin sinjale bashkimi. Të ndërpritet kjo gjuhë dhe këto sinjale të njëanshme që demokratët në bazë të bashkohen. Ky është hapi i parë drejt bashkimit. E rëndësishme është që të kemi të bashkuar, por mbi të gjitha të jemi fitues. Ka diçka të rëndësishme, ashtu si Basha mori pasojat e veta me dorëheqjen e vjet, duhet të ndodhë me simetrikë logjike, si një sinjal i fortë bashkimi. Ndërkohë, unë besoj se kemi detyrë dhe pa u lodhur që ta kërkojë diçka e më tepër, njerëzve të vuajtur, të sakrificës. Ndërkohë ne të bëjmë këtë tollovi, Edi Rama fërkon barkun.”, tha Alibeaj.