Presidenti amerikan, Joe Biden e ka etiketuar liderin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte”, në një cilësim që ka gjasa të përshkallëzojë tensionet diplomatike edhe më tej, sipas CNN.

Biden bëri këtë cilësim, pas një pyetjeje të paplanifikuar të një gazetari, në Shtëpinë e Bardhë.

Është hera e parë që ai përdor një gjuhë të tillë për të dënuar presidentin Putin dhe Shtëpia e Bardhë më vonë tha se ai “po fliste sinqerisht”.

Kremlini, megjithatë, tha se ishte një “retorikë e pafalshme”.

“Ne besojmë se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe e pafalshme nga ana e kreut të një shteti, bombat e të cilit kanë vrarë qindra mijëra njerëz në mbarë botën”, tha zëdhënësi Dmitry Peskov.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se ekzistonte një proces i veçantë ligjor, i drejtuar nga Departamenti i Shtetit, për të përcaktuar krimet e luftës.