Presidenti amerikan Joe Biden pritet të udhëtojë në Bruksel, Belgjikë, javën e ardhshme ku do të marrë pjesë në një samit të NATO-s lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë, sipas Fox News. Biden do t’i bashkohet samitit “të jashtëzakonshëm” të NATO-s që do të mblidhet më 24 mars. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se “presidenti Biden do të diskutojë përpjekjet e vazhdueshme të parandalimit dhe mbrojtjes në përgjigje të sulmit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe për të rikonfirmuar angazhimin tonë të hekurt ndaj aleatëve tanë të NATO-s”.

Biden do t’i bashkohet gjithashtu një samiti të planifikuar të Këshillit Evropian për të diskutuar shqetësimet e përbashkëta për Ukrainën, duke përfshirë përpjekjet transatlantike për të imponuar sanksione ekonomike ndaj Rusisë, për të ofruar mbështetje humanitare për ata që janë prekur nga dhuna dhe për të adresuar sfida të tjera që lidhen me konfliktin.

Psaki tha se “qëllimi” i Biden është të takohet personalisht, ballë për ballë, me homologët e tij evropianë dhe të bisedojë dhe të vlerësojë se ku jemi në këtë pikë të konfliktit”. “Presidenti Biden është një besimtar i madh i diplomacisë ballë për ballë”, tha Psaki, duke shtuar se samiti do të ishte një mundësi për ta bërë pikërisht këtë. “Fokusi i vërtetë tani është takimi me partnerët e NATO-s në Bruksel. Nëse ka hapa shtesë, ne do t’i ndajmë të gjitha ato detaje me të gjithë ju”, tha Psaki.

Planet e presidentit Biden për të udhëtuar në Evropë vijnë ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon ende.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila u kthye në SHBA gjatë fundjavës, udhëtoi në Evropë javën e kaluar për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në takimet dypalëshe me liderët evropianë. Harris udhëtoi në Varshavë, Poloni, ku u takua me presidentin polak Andrzej Duda dhe kryeministrin polak Mateusz Morwawiecki. Ndërsa ishte në Varshavë, ajo u takua edhe me presidentin kanadez Justin Trudeau. Harris udhëtoi gjithashtu në Bukuresht, Rumani, për një takim dypalësh me presidentin rumun Klaus Iohannis.

Vizita e Harris erdhi pasi SHBA-ja dërgoi trupa shtesë amerikane në vendet fqinje për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s ndërsa Rusia vazhdon pushtimin e saj në Ukrainë. Vizita e Biden në Evropë vjen gjithashtu pasi këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, udhëtoi në Romë, Itali, të hënën për t’u takuar me homologun e tij kinez. Takimi, megjithëse i paracaktuar, erdhi pasi zyrtarët e shërbimeve sekrete amerikane thanë se Rusia i kishte kërkuar Kinës ndihmë ushtarake dhe ekonomike pas pushtimit të Ukrainës. Në një përpjekje për të mbrojtur burimet e shërbimeve sekrete, zyrtarët amerikanë kanë hezituar të japin detaje se çfarë lloj ndihme po kërkohet. “Ne kemi shqetësime të mëdha në lidhje me bashkimin e Kinës me Rusinë në këtë kohë dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare ishte i drejtpërdrejtë në lidhje me këto shqetësime dhe implikimet dhe pasojat e mundshme të veprimeve të caktuara”, tha zyrtari, pa komentuar drejtpërdrejt raportet se Rusia kishte kërkuar ndihmë nga Kina pas pushtimit të Ukrainës.