Përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, thotë se Perëndimi nuk duhet të tolerojë Presidentin rus Vladimir Putin.
Gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Europian, Borrell theksoi se Bashkimi Europian duhet të përballet me situatën e krijuar.
Duke marrë shkas nga lufta Rusi-Ukrainë, Borrell kërkoi që Bashkimi Europian të planifikojë në të ardhshmen mbrojtjen e saj.
“Jemi në një moment të vështirë gjeopolitik, është një moment ku është vënë në provë uniteti i Bashkimit Europian. Është një situatë e vështirë, nuk ka ndodhur një situatë e tillë që nga Lufta e II Botërore që një shtet të sulmojë një shtet të pavarur. Ne mund të bëjmë analogji historike, por jemi përballë një tragjedie me të cilën BE po përballet. Edhe në kohë tragjedie ne nuk duhet të dorëzohemi. Kemi të bëjmë me përdorimin e forcës. Kjo do jetë një sfidë për ne që të diskutojmë edhe në vitet e ardhshme programet tona të përbashkëta për të mbrojtur familjen evropiane.
Ne kemi përgjegjësitë tona përballë këtij konflikti. Europa duhet të mendojë në mënyrë strategjike, të planifikojë mbrojtjen e saj, Europa duhet të reflektojë për çështjet e sigurisë. Ne do të përshkallëzojmë sanksionet ndaj Rusisë sepse nuk mund të tolerojmë këtë sjellje të Putin. Ky agresion nuk do të tolerohet, Putin duhet ta kuptojë këtë, faktori ndërkombëtar do t’ja bëjë të qartë këtë”, u shpreh Borrell.