Gjykata Ndërkombëtare Penale filloi një mision faktmbledhës mbi krimet e dyshuara të luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë, ndërkohë që OKB-ja miratoi me një shumicë dërrmuese një rezolutë kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës duke bërë thirrje për një tërheqje të menjëhershme të trupave dhe duke dënuar kërcënimet bërthamore të Kremlinit. Në ditën e tetë të konfliktit, presioni ndërkombëtar për presidentin Vladimir Putin vazhdon të rritet, por kështu po ndodh edhe me ofensivën e tij për pushtimin e Khersonit, shtuar këtu të paktën katër sulme në Kiev, dy prej tyre në qendër të kryeqytetit.

Raundi i dytë i bisedimeve ruso-ukrainase është planifikuar për mëngjesin e sotëm, në një përpjekje për arritjen e një armëpushimi. Vendi i takimit mbetet top sekret, por sipas një anëtari të delegacionit ukrainas, ai nuk do të mbahet më në pyllin bjellorus të Belovezhskaya Pushcha, siç ndodhi para pak ditësh. Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, ndërkohë tha se një milion njerëz kanë ikur që nga fillimi i pushtimit të vendit, ndërsa në vend rritet numri i viktimave.

”Në pesë ditët e para të pushtimit 227 civilë u vranë dhe 525 civilë të tjerë mbetën të plagosur”, njoftoi zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Nga ana e saj, Organizata e Sigurimit dhe Bashkëpunimi në Evropë (OSBE) njoftoi vdekjen e njërit prej vëzhguesve të saj gjatë bombardimeve të Kharkivit, të martën e kaluar. Viktimë mbeti Maryna Fenina, anëtarja ukrainase e Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në vend (SMM). Në këtë klimë vazhdojnë protestat kundër luftës edhe në Rusi, ku policia arrestoi në Shën Petërburg 77-vjeçaren Yelena Osipova, e cila kishte arritur t’i mbijetonte rrethimit të Leningradit nga nazistët.

Departamenti amerikan i Shtetit akuzon Rusinë se ka nisur një luftë totale kundër lirisë së medias dhe së vërtetës duke bllokuar gazetat e pavarura. Në të njëjtën kohë, DASH-i gjithmonë i ka bërë thirrje Putinit dhe qeverisë së tij që t’i japin fund gjakderdhjes dhe të tërheqë menjëherë trupat. Nga Kanadaja fqinje vjen lajmi për sanksione të reja, me qeverinë e Otava që njoftoi masa të afërta ndaj 10 personave kyç të dy kompanive ruse të energjisë, ”Rosneft” dhe ”Gazprom”.