Një situatë e paprecedentë është krijuar me rritjen marramëndëse të çmimeve në Britani, që po rrit frikshëm numrin e familjeve të cilat nuk mund të përballojnë as nevojat bazë të jetesës, sipas CNN.
Në prill, çmimi tavan i energjisë do të rritet me 54% – rritja e më e madhe ndonjëherë – duke ngarkuar 22 milionë njerëz me barrën e faturës vjetore prej rreth 2,000 £ (2,618 dollarë).
Inflacioni pritet gjithashtu të arrijë kulmin mbi 7% dhe një taksë e re e pagave për të ndihmuar financimin e kujdesit shëndetësor dhe social do të hyjë në fuqi.
Kostoja e rritur e jetesës mund ta rrisë numrin e familjeve të varfëra që janë “të paafta për të përballuar nevojat bazë” me një të tretën, për të shkuar në 1 milion, sipas analizës nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale.
Qeveria po përpiqet të lehtësojë barrën duke u lejuar britanikëve t’i paguajnë faturat e energjisë përgjatë viteve të ardhshme, të shtyra në kohë, por kritikët thonë se kjo përgjigje e qeverisë është shokuese.
Ian Allinson, një anëtar i komitetit ekzekutiv në Këshillin e Sindikatave të Mançesterit tha se situata është “alarmante”. Ai tha se plani i qeverisë për të shtyrë pagesat e energjisë në kohë nuk do të ndihmojë njerëzit më të dobët.
“Ne jemi të tmerruar kur masa kryesore që qeveria ka shpallur për faturat e energjisë, është se ne duhet t’i japim vetes një kredi,” i tha ai CNN Business.
“Shumë njerëz tashmë po luftojnë me borxhin. Ideja se në vazhdim kemi një borxh të ri nga faturat e mbartura të energjisë është thjesht tronditëse, më shumë se sa ndihmë e vërtetë”, tha ai.