Në Ditën Ndërkombëtare të Ujit, Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime e Tiranës organizoi një ditë të hapur, me plot aktivitete informuese dhe argëtuese, për fëmijët e kopshteve dhe shkollave, me mesazhin se uji është burimi i jetës ndaj duhet ruajtur.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se fëmijët janë arsyeja e shumë punëve të mira që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në kryeqytet.
“Ditët pa makina i filluam së bashku me fëmijët, 7 vjet më parë. Të rriturit ishin kundër. Por, fëmijët e fituan atë betejë, duke i kujtuar prindërve dhe atyre që marrin vendimet, si në bashki, si në qeveri, se qytetet bëhen për njerëzit, jo për makinat. Fëmijët janë ata që e përqafojnë menjëherë të renë, përpara ne të rriturve. Kështu funksionoi edhe me korsitë e biçikletave, edhe me fushatat e mbjelljeve të pemëve – fëmijët ishin të parët që e përqafuan idenë dhe pastaj u bashkuan edhe prindërit. Edhe në këtë sfidë të madhe që kemi për Tiranën me ujë 24 orë, ku shumica tashmë e ka këtë shërbim, po jemi duke punuar edhe në ato pak zona që kanë ende nevojë për investime, besoj se fëmijët do jenë të parët që do sjellin ndryshimin në mentalitet, për ta kursyer ujin”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për punën e bërë në infrastrukturë, teksa theksoi se bashkia do të mbajë premtimin që deri në fund të vitit 2023 e gjithë Tirana do të furnizohet me ujë 24 orë.
“Tirana ka një nga çmimet më të ulëta të ujit në vend. Ndaj, jam entuziast që kemi filluar një traditë – besoj se do të vazhdojë në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet – që fëmijët të jenë ata që ndërgjegjësojnë të rriturit ta kursejnë ujin. Është një mall që mbaron – sot mund të jetë vërtetë shumë i lirë, por nesër, një konflikt apo një ndryshim i paparashikuar klimaterik, mund të na çojë në krizë. Sa i kemi punët mirë, ta ndryshojmë mentalitetin dhe marrëdhënien që kemi me ujin, dhe besoj se deri në fund të vitit 2023, ashtu siç ka qenë edhe premtimi ynë, të bëjmë me 24 orë ujë edhe xhepat e fundit Tiranës, që ende nuk furnizohen me 24 orë në ditë”, sqaroi Veliaj.