Në Ulëz Mirela Kumbaro njoftoi se po përgatitet plani i menaxhimit dhe projekti për këtë Park Natyror, duke e shndërruar në një atraksion turistik gjithëvjetor me fokus turizmin e sporteve ujore. E shoqëruar nga kryebashkiaku i Matit Agron Malaj dhe përfaqësues të bizneseve në zonë, ministrja tha se Ulza është rasti më i mirë për të treguar se si ruhet ekuilibri mes mjedisit dhe turizmit në një model zhvillimi të qëndrueshëm. Kjo do të thotë se investimet në zonë nuk do t’i lihen në dorë rastësisë por do të bëhen sipas një plani të përcaktuar.

“Ulza ka potencialin për të bërë turizëm gjithëvjetor. Masterplani do të bëjë identifikimin e të gjitha pikave dhe është shumë e rëndësishme që gjithë investimet ku do të duam të ftojmë pastaj investitorët potencialë do të duhet të jenë të orientuara siç duhet. Kjo është e vetmja mënyrë që edhe mund ta mbrojmë si park natyror, edhe e zhvillojmë. Mundësinë e zhvillimit janë edhe brenda parkut natyror, mjaft që të jenë në përputhje me planin e menaxhimit”, tha gjatë vizitës në Ulëz Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësuesit e kompanisë “Kurum” që menaxhojnë hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit, të cilët sipas Kumbaros duhet të përfshihen në këtë projekt të madh për turizmin shqiptar.
“Diga duhet të jetë pjesë e peizazhit, sepse hidrocentrali i Ulzës dhe i Shkopetit janë pjesë e historisë së kësaj zone. Si pjesë e historisë a nuk ia vlen të kemi një mini-muze të hidrocentralit? Na duhet një koncept për ta bërë këtë muze të vizitueshëm dhe tërheqës që në fillim. Hidrocentrali është i vitit 1957, por nuk ka pse të duket si diçka e trishtuar e 1957, por mund të marri një fytyrë të re estetike”, shtoi Kumbaro.

Duke biseduar me përfaqësuesit e bizneseve në Ulzë, Mirela Kumbaro theksoi se prioritet zhvillimi do të ketë gjithmonë Parku Natyror i Ulzës. “Është pak por e sigurt që në të gjithë këta elementë, prioritetin e ka Parku Natyror. Bizneset janë për sot, ministri dhe kryebashkiaku janë për mandatet e tyre, parku është për të gjithë brezat. E ardhmja e brezave është në dorën e vendimmarrjes tonë sot. Duhet të jemi bashkë në vendimmarrje, në planifikim, por edhe në respektimin që na imponon prioriteti i mjedisit dhe ekosistemit”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Pas vendimeve të muajit janar për zgjerimin e hartës së zonave të mbrojtura në Shqipëri, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë nisur punën për hartimin e planeve të menaxhimit që do të bëjnë të mundur zhvillimin e këtyre zonave ekonomikisht si atraksione turistike, duke respektuar kriteret mjedisore. Me krijimin e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, Parkut Natyror të Vjosës, Parkut Natyror të Luginës së Shalës, Parkut Natyror të Munellës etj., sipërfaqja e zonave të mbrojtura i afrohet masës 21% të të gjithë territorit të Shqipërisë.