Shkencëtarët mendojnë se vaksina e Covid-19 duhet të merret çdo vit, njësoj si vaksina e gripit.

“Për ta mbajtur Covid-19 nën kontroll, ka gjasa të kemi nevojë për një ndryshim të strategjisë së vaksinimit. Nuk e dimë nëse duhet të marrim vaksinën, çdo vit, çdo dy vite apo pesë por duhet ta marrim periodikisht, në mënyrë që të jemi të mbrojtur”, tha të hënën Archana Chatterjee, dekane e Shkollës Mjekësore të Çikagos në Universitetin Rosalind Franklin . Administrata e Ushqimit dhe Barnave, deklaroi të hënën se do të ketë një takim mes ekspertëve epidemiologjik në SHBA, për të përcaktuar se kur do të jenë të nevojshme dozat e tjera përforcuese të vaksinës Covid-19. Ndërkaq, shumë vende evropiane kanë nisur aplikimin e dozës së katërt tek grup moshat më të rrezikuara nga Covid-19. “Ndërsa përgatitemi për të jetuar bashkërisht me COVID-19, mënyra se si do të vijojë procesi i vaksinimeve është shumë i rëndësishëm”, tha Peter Marks, drejtor i Qendrës për Vlerësimin dhe Kërkimin Biologjik të FDA.

Një ditë përpara se FDA të shpallte datën e takimit, ish-komisioneri i FDA, Scott Gottlieb, tha se ai gjithashtu mendon se vaksinat për Covid-19 duhet të merren një herë në vit nga një dozë. Tashmë është e qartë se Covid-19 nuk do të zhduket apo të dobësohet. Përkundrazi, disa studiues thonë se mund të presim që pandemia të kalojë në një fazë endemike. Endemike do të thotë se një sëmundje ka një prani të vazhdueshme në një popullatë, por nuk po prek një numër jashtëzakonisht të madh njerëzish, siç shihet zakonisht në një pandemi. Disa studime kanë treguar se imuniteti kundër Covid-19, e krijuar nga vaksinat mund të zbehet gjatë disa muajve , veçanërisht tek të moshuarit që mund të kenë sistem imunitar më të dobët.

“Ne do të kemi nevojë për përforcues përsëri në të ardhmen, e kështu duhet të ketë një rregullore të përcaktuar se në çfarë distancash kohore do të merren këto vaksina”, është shprehur Gottlieb. Përforcuesit e ardhshëm të Covid-19 mund të jenë formula krejtësisht të ndryshme nga vaksinat që administrohen tani. Disa kompani, duke përfshirë Pfizer dhe Moderna, po zhvillojnë vaksina specifike të varianteve që mund të synojnë cilindo variant të virusit SARS-CoV-2 që qarkullon.

Pfizer dhe Moderna kanë thënë se janë duke punuar për një vaksinë që do të mbronte në mënyrë specifike kundër variantit Omicron, edhe pse nuk është e qartë nëse është e nevojshme. Drejtuesi i Pfizer, Albert Bourla tha se kompania gjithashtu shpreson të bëjë një vaksinë me një dozë të vetme. “Qëllimi është të krijohet diçka që mund të mbrojë për të paktën një vit. Nëse jemi në gjendje ta arrijmë këtë, atëherë mendoj se është shumë e lehtë për të ndjekur Covid-19”,ka thënë Bourla në një deklaratë gjatë javës së shkuar. Ndërsa, drejtuesja e Stéphane Bancel tha në Forumin Ekonomik Botëror në janar se një vaksinë e vetme do të kishte përfitime logjistike të mëdha. Sipas saj e rëndësishme është që vaksina të jetë efektive për një vit.(CNN, Gazeta “Si”)