PS ka marrë fitoren në një tjetër Bashki. Kandidatja Eriselda Sefa mori fitoren në bashkinë e Lushnjes me 20,904 vota, ndërsa pas saj u rendit Elton Bano i “Shtëpisë së Lirisë” me 10,983 vota dhe në fund kandidati i PD, Indrit Sefa me 3,692 vota.
Në pamjet e siguruara nga Top Channel, duket se Sefa ka shkuar në qendrën ku po numëroheshin votat e fundit dhe u përqafua me deputetin Erion Braçe sapo mësoi rezultatin.
“Mirënjohje për qytetarët e Lushnjes që më votëbesuan. Një falenderim kam dhe për ata që administruan procesin zgjedhor si në qendrat e votimit ashtu dhe në qendrat e numërimit. Alternativat që unë shpreha gjatë fushatës zgjedhore, idetë, projektet do të vihen në zbatim gjatë këtij viti.
Ata qytetarë që mbështetën alternativën tjetër, i them që do të gjeni një institucion të hapur pranë bashkisë Lushnje, komunikimi dhe bashkëpunimi me të gjithë qytetarët që duan të sjellin idetë e tyre në shërbim të komunitetit të Lushnjes dhe të gjejnë një derë të hapur dhe shumë faleminderit. Jam shumë mirënjohëse për të gjithë këtë votëbesim”, tha Sefa.