Në një fjalim historik përpara Kongresit amerikan, të zhvilluar me lidhje video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kujtoi SHBA-së tmerrin e sulmeve të 11 shtatorit e Pearl Harborin, teksa i drejtoi një apel të ndjerë ligjvënësve që të bëjnë më shumë për të ndihmuar vendin e tij.

Zelensky: Miq, amerikanë, në historinë tuaj mashështore, ju keni faqe që do t`ju lejojnë t`i kuptoni ukrainasit, të kuptoni se çfarë po kalojmë në këto momente. Mos e harroni 11 shtatorin, një ditë e tmerrshme e vitit 2001 kur e keqja u përpoq t`i kthente qytetet amerikane në fushëbeteja, ku njerëz të pafajshëm u sulmuan nga ajri dhe ju nuk e ndalonit dot. Vendi ynë po përjeton të njëjtën gjë, çdo ditë. Ne kemi nevojë për ju tani. Ju bëj thirrje që të bëni më shumë.

Zelensky përmendi dhe shprehjen e famshme të liderit të të drejtave civile, Martin Luther King: Unë kam një ëndërr, të cilën e përdori për të ritheksuar apelin e tij të vendosjes së zonës së ndalim fluturimit. Unë sot mund të them se kam një nevojë, kam nevojën që të mbroj qiellin tim, tha kreu i shtetit ukrainas.

Ai e ka përsëritur vazhdimisht një kërkesë të tillë, por është refuzuar nga NATO-ja që druhet se kjo, do ta vendoste në kurs të drejtpërdrejtë përplasjeje me Moskën. Këtë radhë megjithatë, si alternativë Zelensky pati lutjen për më shumë sisteme të mbrojtjes anti-ajrore dhe më shumë avionë.

Me pas, iu drejtua në anglisht presidentit Biden duke i thënë: “Uroj të jesh lideri i botës. Të jesh lideri i botës, do të thotë të jesh lideri i paqes”, teksa paraqiti dhe një video për ligjvënësit amerikanë, duke treguar shkatërrimet dhe vuajtjet nga agresioni rus në Ukrainë. Në momentin që bëri prezantimin e tij, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, u shpreh se Kongresi amerikan ka “respekt, admirim dhe vlerësim të madh” për udhëheqjen e tij “të guximshme”.