Drejtoresha e Komunikimit në PD, Floriana Garo i përgjigjet deputetit Gazment Bardhi. Përmes një postimi në rrjetet sociale Garo shkruan se Koha ku vota e demokratëve zëvendësohej me urdhra dhe vullnete të liga ka marrë fund.
Postimi i Floriana Garos:
Mendimi, qëndrimi dhe vullneti i grupit parlamentar u injorua dhe u përdhos ditën kur për pezullimin antistatutor të Sali Berishes nga grupi parlamentar vendosi një individ duke mos pyetur fare as grupin parlamentar dhe asnjë institucion tjetër të Partisë Demokratike!
Mandati i çdo deputeti të Partisë Demokratike është marrë në datë 25 Prill nga votuesit e Partisë Demokratike. Besimi i demokrateve në mandatin e Sali Berishës u konfirmua në 11 Dhjetor, 18 Dhjetor dhe më pas në 6 Mars.
Ata që morën vendime duke shkelur statutin, pa pyetur këshillin kombëtar e grupin parlamentar dhe kthyen PD për herë të parë në histori në forcë të tretë, sot nuk duhet të japin leksione dinjiteti, por duhet të lexojnë vullnetin e demokratëve të shprehur qartë me votë si e vetmja rrugë për të ecur perpara! Në demokraci respektohet mendimi i gjithsecilit por vendos shumica.
Koha ku vota e demokratëve zëvendësohej me urdhra dhe vullnete të liga ka marrë fund!
Çdo demokrate e demokrat duhet të ndahet nga ajo kohë!
Demokratët kanë folur me votë dhe të gjithë ne duhet të respektojmë votën dhe vullnetin e tyre.
Vetëm të bashkuar do mund të ecim përpara dhe të fitojmë!
Floriana Garo,
Drejtore e Komunikimit të Partisë Demokratike