Nga Flutura Açka

Asnjë fjalë për marrëveshjen e pistë President-Berishë për të futur në përplasje pjesët e PD-së, përplasje që i dha buzëqeshje diabolike vetëm Ramës. Asnjë fjalë për arsyet e kësaj përqindjeje të ulët votimi të shqiptarëve dhe neverinë e shqiptarëve ndaj politikës, madje edhe ndaj atyre vetë që përtypin çdo natë vetëm politikë në ekrane.

Unë nuk marr përsipër këtu të flas për Lulzim Bashën (nëse i shërben Edi Ramës, sepse nuk kam aq njohje dhe as fakte për këtë, ata që flasin gjithë ditën për këtë, le të marrin guximin dhe ta bëjnë); unë flas për veten time se me mafian jam e lidhur sa ç’jam e lidhur me hënën dhe se në jetëshkrimin tim kam një betejë konsistente opozitare ndaj qeverisë aktuale dhe kreut të saj. E shkruar zezë mbi të bardhë. Nëse nuk ikën Sali Berisha, nuk ka asnjë arsye të ikë Lulzim Basha.

Unë do ta nis nga vetja, që të shpëtoj nga trishtimi që më ka zënë tek e shoh shtëpinë tonë të përbashkët – PD-në – në këtë gjendje: Heq dorë nga postet e mia në parti (anëtare kryesie dhe Kryetare e Komisionit të Apelimit dhe Integritetit), pasi as i kam ushtruar kushedi se çfarë, as jam një njeri me një staturë të dukshme politike, por edhe dua që Opozita të vijë në binarët e reformimit të saj të shpejtë, për t’u kthyer në shpresa e vetme e shqiptarëve për të shpëtuar nga regjimi putinist ku po akaparohet me nxit Shqipëria.