Armand Duka dhe Ilir Shulku nuk mund të ushtrojnë detyrën e tyre, çka do të thotë se ata as në zyrë nuk futen dot. Rrjedhimisht, të paktën edhe për tre muajt e ardhshëm, FSHF është pa president dhe pa sekretar të përgjithshëm që ushtrojnë detyrën.

Sipas statutit të federatës, kompetencat e presidentit i merr zv.presidenti i parë kur presidenti i zgjedhur nuk ushtron dot detyrën për motive nga më të ndryshmet. Thënë këtë, pritet që kompetencat e Dukës, të paktën edhe për tre muaj, t’i marrë zv.presidenti i parë, që deri para asamblesë së 15 marsit, ka qenë Edvin Libohova, ndërsa tani ende nuk është saktësuar se kush do të jetë zv.president i parë, sepse Libohova nuk është më anëtar Komiteti Ekzekutiv dhe vendimet e fundit të asamblesë me anëtarët e rinj nuk janë regjistruar në gjykatë.

REGJISTRIMI NË GJYKATË

Vendimet e asamblesë së FSHF-së duhet të regjistrohen në gjykatë. Aty bëhet certifikimi i zgjedhjeve të fundit me qëllim që federata të vazhdojë aktivitetin normalisht. Mirëpo, nuk dihet se çfarë do të ndodhë tani që Duka dhe Shulku mbetën të pezulluar. A do ta pranojë gjykata kërkesën e FSHF-së për të regjistruar zgjedhjet e fundit, kur Duka rezulton i pezulluar?

A do të ketë efekte kjo edhe te vendimet e tjera të marra në asamble? Kjo mbetet e gjitha për t’u parë, por fakti është që gjërat nuk po shkojnë aspak mirë në këtë moment për futbollin shqiptar.