Nga Plator Nesturi

Gjithkush që besonte se dorëheqja e Bashës nga kreu i PD do ti jepte fund halleve të ndarjes së thellë midis demokratëve, ka mbetur i zhgënjyer. Pas kaq muaj Foltore për të çmontuar atë cka mbetej nga një lider i bërër copë pas çdo humbjeje, pas dy kongeresesh ku demokratët ligjëruan ndarjen e ku njëra palë e kish shkarkuar, pas një sulmi me hunj e me vare mbi godinën e fortifikuar me vargonjë të Bashës, u desh përballja në zgjedhjet vendore në 6 mars për të ulur nga piedestali kryetarin e fundit të PD-së. Basha më në fund ra, por dëmi është bërë. Fushata e vrerit që fillimisht nisi ndaj tij, duket se ka infentuar në masë demokratët e ndarë në dy kampe që në gjithë këto muaj shiheshin ose si idhtarë të Berishës ose si mbështetës të Bashës. Tashmë, në hapësirën që ndan të dy palët është një fushë e minuar nga të gjithë së bashku gjë që e bën të vështirë e madje të rrezikshme një bashkim të shpejtë e jonatyral midis kampeve.

Basha është dorëhequr nga komandant i kështjellës por lufta civile në PD nuk ka përfunduar ende. Madje nuk dihet se kur por nëse do ndodhë kjo duket se do të bëhet me marrëveshje dhe me lëshime të dyanshme, që për momentin nuk dimë se a do të ketë vullnet të përbashkët për ti respektuar. Në tekstin e dorëheqjes së vet Basha kish lënë disa bishta që e vinin në diskutim dhe faktin nëse kish dorëheqjen vërtet apo jo. Kurthi bëhej më i qartë në draftin e deputetëve të PD e të lëxuar nga Alibeaj, ku kërkonte si garanci për bashkimin e PD-së tërheqjen pas nga gara dhe të Berishës, ashtu siç kish bërë hap pas edhe Basha. Po ashtu vetë procesin e ribashkimit grupi i deputetëve e shihte të shtrirë në kohë dhe ku gara për kryetarin e ri të fillojë pas një viti, pas zgjedhjeve për pushtetin vendor. E gjithë kjo është interpretuar jo pa shkak si kurthi i fundit i Bashës, për ti dhënë shans një rikthimi të tij, sado e pamundur të duket kjo kur cikli duket i mbyllur. Por poltika e kurtheve dhe e litarëve jashtë nuk është diçka e re në PD. I pari ka qenë Berisha që la litarin e tij ndërsa vendosi për pasardhës një lider si Basha, të cilin e ka konsideruar si buratin në duart e veta dhe që mund ta zëvendësonte në çdo rast me veten nëse faktorët apo interesat do kërkonin rikthimin e tij si kryetar. Dhe nuk ka arësye më emergjente ardhja e tij në krye të PD sesa tani kur partia i duhet si mbrojtje ndaj shpalljes non grata prej SHBA.

Reagimi nga përfaqësuesit e Foltores për kërkesat e grupit të deputetëve të PD ishin kryeneçe dhe inatçore. Me moralin e fituesit në një përballje direkte në 6 bashki dhe ku PD doli e treta, deputetët përkrah Berishës duket se e kishin marrë lehtë faktin dhe se dorëheqja e kryetarit vetëm sa ka hapur fillimin e një proçesi që nuk dihet se si do vejë dhe kur do të mbarojë. Mendja e ftohtë u zëvendësua me nervozizëm dhe reagimi mediartik i Foltores ishte se jo vetëm që nuk mund të pranonin kërkesa dhe kushte, por pala tjetër duhej të ulte kokën pasi në ballafaqimin zgjedhor treguan se nuk kanë shumicë votash te demokratët. Ky lloj revanshi i një pale ndaj tjetrës nuk duket shenjë e mirë. Është shenja se kriza do të zgjasë më shumë dhe se vetë procesi i bashkimit të PD ka shumë gropa për të mbushur. Aq më tepër që nuk bëhet për kërkesa për dorëzimin e kështjellës apo godinës së PD-së por kërkesa për të mundësuar bashkimin. Pra jo pushtim e dominim të një pale, por ngjizje e shkrirje interesash për të krijuar një bashkësi të re demokratësh, pavarësisht se për një periudhe kohe ishin në llogore të ndryshme duke luftuar njëri tjetrin. Ndaj deklaratat e para të Alibeajt si kryetar në detyrë në PD duket se ua kanë ngrirë buzëqeshjen përfaqësuesve të Foltores.

Shtyrja në kohë e bashkimit dhe ideja për grup negociator që të diskutojë kushtet se si do të bëhet ky bashkim ishte mënyra për ti thënë Komisionit të Rithemelimit që “ të mos gëzohen para kohe nga dorëheqja e Bashës”. Beteja vazhdon dhe procesi nuk quhet i mbyllur. Vetë vendosja e Alibeajt si kryetar në detyrë kur dihet se pozicionimi i tij kundër Berishës ka qenë më i ashpër dhe se vetë Basha në këto muaj, është një element që duhet futur në llogari dhe që duket se nuk do tia bëjë të lehtë rrugën e rikthimit në krye të PD të ish liderit historik. Përkundrazi, sa më shumë kohë të vijojë Alibeaj në detyrën e vet tranzitore, aq më shumë faktor do të bëhet në PD. Faktor që nesër do të të kërkojë lidership. Jo më kot makineria e përbaltjes të Foltores që dikur bënte pis Bashën, tani është drejtuar ndaj Alibeajt. Frika se rezistenca e tij dhe grupit parlamentar ndaj trysnisë që sa vjen e shtohet e Berishës, është element që tregon pasiguri. Por nga ana tjetër, është tregues se kriza në PD nuk ka marrë fund, por thjesht ka ndërruar drejtim dhe aktorë që e luajnë.

Është tepër herët të parashikohet se si do shkojë. Pra nëse së fundmi do të ketë bashkim apo përplasja e tanishme do ti çojë drejt vetasgjësimit si parti. Ajo çfarë dihet është se rruga do të jetë e gjatë, e vështirë dhe në të përpjetë. Dhe fati i PD-së si Guri i Sifizit.