Nën ritmet e muzikës rap dhe me makina me vlerë mijëra euro një grup të rinjsh bënin gara shpejtësie në Tiranë në zona të banuara duke rrezikuar jetën e këmbësorëve por edhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Gara e tyre niste nga Lapraka dhe përfundonte në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Çmenduria e tyre zgjati vetëm pak pasi policia rrugore e Tiranës iu vu në ndjekje duke ndëshkuar aventurierët. Përveç gjobës një prej të rinjve e pësoi keq pasi humbi edhe makinën luksoze “Audi R8”. Nga verifikimet rezultoi se makina luksoze ishte e vjedhur në Suedi dhe u sekuestrua nga policia. Vlera e kësaj makine në treg është rreth 150 mijë euro. Po ashtu policia ka ndëshkuar edhe drejtuesin e një Lamborgini, Range roveri dhe Audi.

Policia rrugore e Tiranës ka ndëshkuar po ashtu edhe qindra drejtues mjetesh të cilët nuk respektonin shpejtësinë apo kryenin shkelje të kodit rrugor. Jo të pakta kanë qenë rastet edhe të ndëshkimit me masa administrative të personave që përdorin mjete me xhama të errësuar mbi normë.