Gjykata e Apelit të Tiranës la në fuqi pezullimin nga detyra të Armand Dukës dhe dy zyrtarëve të tjerë të FSHF, Ilir Shulkut dhe Ardian Haçit. Armand Duka dhe dy zyrtarët e FSHF-së akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash për shkak të manipulimeve që u bënë me zgjedhjet në shoqatat rajonale të futbollit. Gjykata i ka cilësuar të drejta akuzat e ngritura, duke gjetur shkelje të rënda nga Duka dhe Shulku. Në vendimin e saj, Gjykata thotë se shkeljet e realizuara nga Duka dhe Shulku përbëjnë vepër penale.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme kërkesa e Dukës për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes Gentian Shala u rrëzua dhe u vendos që seanca të vazhdojë me të njëjtin gjyqtar. Vendimi për rrëzimin e kërkesës u bë nga gjyqtari Ilir Toska, i cili tha se nuk ka asnjë konflikt.
Të martën Armand Duka u rikonfirmua President i Federatës në zgjedhjet e mbajtura nga Asambleja e Përgjithshme. Në një proces të manipuluar që në gjenezë të saj, Armand Duka u rizgjodh më 15 mars sërish në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Pa asnjë surprizë, ai arriti që të siguronte 37 vota nga 43 votues të vlefshëm që morën pjesë në Asamble duke vijuar drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të Futbollit në vend edhe për 4 vitet e ardhshme.
Zgjedhjet për kreun e ri të FSHF-së ishin vendosur që të mbaheshin në datën 2 mars, por Gjykata e Tiranës, pezulloi garën deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit, e më konkretisht të shoqatës së Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës. Armand Duka mblodhi sërish Asamblenë dhe vendosi edhe kësaj here në kundërshtim me ligjin që procesi të mbahet më 15 mars.
Gjykata e Tiranës paralajmëroi se nëse drejtuesit e FSHF-së do të vijonin me procesin zgjedhor në kundërshtim me masën e sigurisë që ajo ka dhënë, shkelësit do të dënohen me burg që sipas kodit penal shkon gjer në 3 vite burg.