I ftuar ditën e sotme ekskluzivisht në “Zona Zero” me gazetarin Thimi Samarxhiu ka qenë konsulli i nderit i Shqipërisë në Kharkiv Shahin Omarov. Omarov ka qenë i ftuar për të komentuar situatën pas bombardimeve të ndërtesës së konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv të Ukrainës. Në fjalën e tij Omarov ka përshkruar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja teksa ndërtesa është sulmuar dhe bombarduar nga forcat ruse kur brenda saj kishte punonjës. Gjithashtu Omarov ka treguar se forcat zjarrfikëse kanë mbërritur me vonesë në vendin e ngjarjes dhe kjo për shkak të përplasjes që kishin me ushtrinë ruse.
“Sot situata është shumë e vështirë. Dje në orën 23:00 pati një sulm ushtarak në Kharkiv dhe disa bomba përfunduan në godinën e Konsullatës së Nderit në Kharkiv. Bombat ranë në katin e dytë dhe të tretë ndërkohë që zyra është në katin e parë. Pati një zjarr dhe më pas gjithë godina u përfshi në flakë. Në të njëjtën kohë në godinë ishin dhe punonjësit, që punonin dhe jetonin aty.
Menjëherë është evakuuar i gjithë stafi që të mos përfshiheshin nga flakët. Është e vështirë të dalësh nga godina kur është e përfshirë nga flakët teksa ajo vijoi të digjej gjatë gjithë natës. Në orën 8 kanë mbërritur forcat zjarrfikëse sepse ka qenë e pamundur të vinin më parë sepse kishte një përplasje mes ushtirsë ruse dhe zjarrfikëses. Edhe pse të gjitha katet janë djeguar, godina vijon të qëndroj në këmbë.”- tha Konsulli i Nderit Shahin Omarov për gazetarin Thimi Samarxhiu në “Zona Zero./ Gazeta Shqip