Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të biznesit të vogël në Durrës, ku prezantoi Paketën e Rezistencës Sociale, kryeministri Rama ndau me të pranishmit të dhëna lidhur me taksat që paguajnë qytetarët shqiptarë, teksa i krahasoi ato me vendet e rajonit, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. “Ka pasur debat për rritjen e pagave. Është vërtetë që ta shikosh në pamjen e parë, karburanti rezulton më i shtrenjtë se në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Por sa janë taksat mbi pagat, sa janë sigurimet shoqërore?” – tha Rama.

E përkthyer në grafikë, për biznesin e vogël në Shqipëri, që janë rreth 95 mijë, TVSH është zero, ndërsa Serbia e ka 20 % dhe Maqedonia e Veriut e ka 18 %”. Ndërkohë, sigurimet shoqërore në Shqipëri janë 27.9 %, ndërsa në Maqedoninë e Veriut llogariten 42.5 % dhe në Serbi 47.5%.

Gjithashtu, ndryshe nga vendet e rajonit, Shqiperia e ka zero edhe taksën e tatimit mbi fitimin. Tatimi mbi fitimin për bizneset e vogla në Maqedoninë e Veriut është 10%, ndërsa në Serbi llogaritet 15%.