Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë, ka marrë referime nga 39 shtete për një kërkesë për të hetuar situatën në Ukrainë për shkak të sulmit rus.

”Puna për mbledhjen e provave ka filluar”, njofton korrespondenti i agjencisë ukrainase të lajmeve, UKRINFORM në Hagë, duke cituar një deklaratë të Karim Khan, prokuror i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJNP).

“Këto referime lejojnë zyrën time të vazhdojë me hapjen e një hetimi për situatën në Ukrainë nga 21 nëntori 2013 e më pas, përfshirë brenda saj çdo pretendim për krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid të kryera në çdo pjesë të territorir të Ukrainës nga kushdo”, thuhet në deklaratë.

”Siç u përmend në deklaratën time të 28 shkurtit, në shqyrtimin e saj paraprak të situatës në Ukrainë, zyra ime ka gjetur një bazë të arsyeshme për të besuar se krimet, brenda juridiksionit të gjykatës, janë kryer dhe ka identifikuar raste të mundshme që do të ishin të pranueshme. Ndërsa vazhdoj të kryej përgjegjësitë e mia, do të kërkoj të angazhohem me të gjitha palët e interesuara dhe palët në konflikt duke siguruar që hetimet të kryhen në mënyrë objektive dhe të pavarur, në përputhje të plotë me parimin e komplementaritetit”, thuhet në deklaratë.

”Duke vepruar kështu, ne do të mbetemi të fokusuar në objektivin tonë kryesor: të sigurojmë përgjegjësi për krimet që janë nën juridiksionin e GJNP-së. Mbështetja e shteteve palë dhe e komunitetit ndërkombëtar do të jetë thelbësore, ndërsa ne kërkojmë të shqyrtojmë sfidat e qenësishme në kryerjen e këtyre hetimeve. Prandaj do të kërkoj partneritetin dhe kontributet e të gjitha shteteve për të plotësuar nevojën tonë për burime shtesë në të gjitha situatat me të cilat përballet zyra ime”, thuhet në deklaratën e këtij prokurori.

Khan përsëriti thirrjen e tij për të gjithë ata që janë përfshirë në armiqësitë në Ukrainë që t’u përmbahen rreptësisht rregullave të zbatueshme të ligjit ndërkombëtar humanitar.