Histori të ndryshme vijnë nga Ukraina, ku mes shumë të tjerëve, qindra sportistë ka rrokur armët për të mbrojtur vendin e tyre. Por Pietro Vavassori, 70 vjeç, pronar i “Italsempione”, një kompani e rëndësishme lombarde në sektorin e logjistikës, ka zërin e ngritur në telefon dhe është e kotë t’i kërkosh më shumë. Djali i tij është një nga italianët që ka shkuar për të luftuar në Ukrainë, vullnetar. Për tri ditë nuk kishte asnjë lajm për të birin, deri dje portier futbolli. 30-vjeçari kishte luajtur në Lega Pro. Më në fund, ai arriti t’i bënte të ditur babait “se ishte gjallë”, megjithëse “i rrethuar nga trupat ruse”.
Kjo është historia e shtuar në profilin e tij TikTok, ku rrëfen situatën në terren. Ivan Luca është djali i birësuar, me origjinë ruse, i Pietro dhe gruas së tij, Alessandra Sgarella, të rrëmbyer nga “Ndrangheta”. Ishte mbrëmja e 11 dhjetorit 1997 dhe gruaja, atëherë 40 vjeçe, u rrëmbye në oborrin e shtëpisë së saj në Milano. Ajo qëndroi në duart e banditëve për rreth dhjetë muaj, në Lokrid.
Nëse ajo gjeti forcën për t’u kapur pas jetës ishte edhe fëmija që do të birësonte, i cili vinte nga Elektrostal, një qytet afër Moskës. Alessandra më pas vdiq më 27 gusht 2011 nga një sëmundje. Atë ditë, teksa po mbyllte sytë, patën kohë t’i tregonin se anëtari i fundit i bandës, i arratisuri Francesco Perre, ishte arrestuar disa orë më parë në Aspromonte gjatë një aksioni të karabinierëve.
Deri pak javë më parë, Ivan Luca ishte në Bolivi, ku po stërvitej me Real Santa Cruz. Megjithatë, ai vendosi të nisej për në Ukrainë, duke e komunikuar vendimin me një video në TikTok më 28 shkurt. “Do ta kisha imagjinuar të bëja gjithçka në jetë, por kurrë të veshja uniformën e luftës”, – ka shkruar ai, duke i shoqëruar fjalët me imazhet e ushtarëve, me fytyrat e pikseluara të Legjionit të Huaj Francez. Në një video të mëvonshme, më 3 mars, ai tregoi se ishte bashkuar me “Legjionin e Mbrojtjes Ndërkombëtare të Ukrainës”.
Pavarësisht se është në luftë, ai nuk është i interesuar të bëhet ushtar. Kur lufta në Ukrainë të ketë mbaruar, ai do të përpiqet të harrojë gjithçka, duke shpresuar se nuk do të jenë më të dobishme armët. Po pse u fut në skenarin e konfliktit, duke u regjistruar përkrah ukrainasve? “Sepse kjo është një luftë që prek të gjithë botën”, – përgjigjet ai.