Importuesit kryesorë të miellit dhe të ushqimeve garantuan se, vendi nuk do të vuajë nga furnizimet, pavarësisht situatave dhe vështirësive që ka krijuar fillimisht pandemia e Covid-19 dhe tani lufta Rusi -Ukrainë.
Eleni Babameto që ka në pronësi kompaninë “Teuta” një nga importuesit më të mëdhenj të artikujve ushqimorë në vend (Vaj, sheqer miell, oriz, fasule etj) tha se, tregu ndërkombëtar po vuan disa problematika që krijoi pandemia në zinxhirët e furnizimit, por ajo tha se kompanitë importuese në Shqipëri me përvojë të gjatë i kanë të garantuara furnizimet.
“Qytetarët duhet të jenë të qetë se ushqimet nuk do të mungojnë” tha ajo. Zonja Babameto tha se tashmë kompania e saj ka furnitorë që nga Peruja, Kina dhe vende të largëta të botës dhe ka mundësitë të sigurojë sasitë e nevojshme për sasitë që i duhen Shqipërisë.
Të njëjtën siguri dha edhe Adi Haxhiymeri i cili është një nga operatorët më të mëdhenj të te importit të grurit në vend dhe me produktet dhe nënproduktet e burimit “Prima”. Ai pohoi se, tashmë kompanitë shqiptare të importit të grurit kanë arritur të gjejnë furnitorë nga vende të tjera duke hequr varësinë nga tregjet Ruse. Ai tha se vendi do të vazhdojë të furnizohet normalisht me grurë dhe garantoi qytetarët të mos bëjnë blerje paniku nga frika se nuk do të ketë produkt në treg.
Ditët e fundit që kur nisi lufta qytetarët në të gjithë vendin po bëjnë blerje jo të zakonta nga frika se do të ketë mangësi në furnizime dhe çmimet do të rriten nga lufta Rusi-Ukrainë duke qenë së vendet janë një nga eksportuesit të mëdhenj global të grurit.
“Njerëzit po marrin kredi dhe borxhe për të kryer furnizime jo të zakonta me ushqime” tha Samiu një tregtar me pakicë në zonën e “5-majit” në Kryeqytet. Kjo kërkesë e lartë e çon më tej rritjen e çmimeve në tregun vendas pohoi ai.
Në të gjithë vendin, por sidomos në rrethe, njerëzit po kryejnë furnizime të mëdha nga frika që ka ngjallur lufta. Blerjet janë përqendruar kryesisht në miell. Edhe para sulmeve ruse në Ukrainë, tregjet po vuajnë nga kërkesa e lartë që u shfaq gjatë pandemisë në produktet ushqimore.
Paratë e kursyera nga mungesa e udhëtimeve u kanalizuan në një konsum më të lartë në ushqime dhe artikuj të furniturës për shtëpi. Kërkesa e lartë e kombinuar me probleme në zinxhirët e furnizimit, të tilla si kostot e larta të transportit dhe mungesat e punonjësve çuan në një valë të re çmimesh në të gjithë artikujt pa përjashtim. Lufta e ka vështirësuar situatën edhe më tej.
Ukraina si një nga furnitorët kryesor me drithëra i ka kryer mbjelljet e grurit në vjeshtë, korrjet e të cilit do të kryhen në korrik. Por eksportet nga ky vend do të varen nga ecuria e luftës, ndërkohë ngjarjet po pengojnë mbjelljet e pranverës në kulturat e tjera të drithërave si misri, lule dielli etj.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) konusmi global i drithërave më 2022 vlerësohet në 2.8 miliardë tonë, ndërsa rezervat globale janë 824 milionë tonë, të afta për të mbuluar 29 për qind të konsumit total global./B.Hoxha – Monitor