Ka përfunduar me rezultatin 2-1 miqësorja e luksit mes Shqipërisë dhe Spanjës. Në Barcelonë ka vend për festën spanjolle, teksa një supergol i Dani Olmos në minutën e 90 vendosi fatin e takimit. Një paraqitje tejet pozitive e kuqezinjve, të cilët përballuan me sukses një nga Kombëtaret më të mira të globit. Iberikët dominuan në lojë dhe rrezikuan disa herë portën e Berishës përgjatë pjesës së parë, ndërsa nuk mungoi as kërcënimi nga Shqipëria, ku vetëm centimetrat ndanë Cikalleshin nga goli.

Pjesa e dytë paraqiti një tablo tjetër, me të dyja ekipet që gjejnë rrugën e rrjetës. Pas 75 minutave rezistencë mbrojtja e Shqipërisë dorëzohet dhe Ferran Torres shkund rrjetën e Berishës. Por festa shuhet vetëm 10 minuta më pas. Fati i buzëqesh Myrto Uzunit, i cili pas një devijimi të topit e dërgon atë pas shpinës së portierit. Britmat e beratasit pushtuan qiellin e Barcelonës, duke u çliruar më në fund nga mungesa e gjatë e golit te Kombëtarja. Megjithatë, kur të gjithë tifozët shqiptarë prisnin të largoheshin me një barazim nga Spanja, Dani Olmo vjen me një goditje perfekte që përfundon në trekëndësh. Pas përfundimit të ndeshjes protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.

Reja: “Me pak përqendrim do të shkonim në shtëpi me një rezultat pozitiv. Na mbetet ai zgjënjimi i madh në minutë të fundit. Kanë shpenzuar shumë energji, pastaj bëmë atë gabim në rastin e golit. Nuk duhet ti bëjmë këto gabime. Nuk bëjmë dot atë hapin cilësor. Kemi gabuar me Poloninë dhe kështu edhe në ndeshjet e tjera. Për të bërë që të rriten rezultatet duhet të ndryshojmë mentalitetin. Nuk duhet të bëjmë më dhurata, sepse sot ia dhuruam. Spanja është shumë e aftë teknikisht. Paraqitjen tonë e bëmë, por na mungojnë ato detajet për të bërë hapin e madh. Kemi bërë mirë. Më vjen keq për djemtë. Sigurisht që ekipit do i jap një notë mjatueshëm. Gjatë kohës që kam qenë këtu në Shqipëri ka gjithmonë diçka që nuk shkon. Nuk ishim shumë të aftë te zotërimi i topit, sepse ata janë shumë agresivë. Nuk duhet të jemi të përqendruar vetëm për 90 minuta, por për 100 minuta. Nuk mund të humbasim për një minutë në fund“.
Luis Enrike: “Ishte ashtu siç e kishim menduar. Një ndeshje e vështirë. Kemi parë ndeshjet e mëparshme të Shqipërisë, ato gjatë eliminatorëve si ajo kundër Anglisë. Keni një lojtar të mirë si Broja përpara. Nuk ishte aspak e thjeshtë, sepse vuajtëm disa herë në këtë përballje kundër Shqipërisë, sidomos për të arritur te goli“.

Uzuni: “Në aspektin personal ndihem shumë i lumtur për golin, sepse të gjithë e dinë që unë punoj fort. Nuk jemi të kënaqur me humbjen sepse erdhi në minutën e fundit. Gjithmonë kam besim te vetja ime. Ekipi ka bërë një ndeshje shumë të mirë sot, ishim vendosur shumë mirë në fushën e lojës. Por luanim kundër Spanjës që të imponon të luash gjithmonë në fazën difensive. Ndihem me shumë besim te vetja pasi kam bërë një transferim te Granada. Por është një pjesë që i takon trajnerit dhe e di ai kë do të vendosë apo jo. Jam kritikuar shumë për rastet e humbura me Hungarinë dhe Anglinë në Shqipëri. Kam marrë shumë mesazhe dhe jam ndjerë keq. Ishte një çlirim goli“.

Bare: “E dimë shumë mirë që ata kanë një ekip shumë të mirë. Bëmë ndeshje të madhe, pavarësisht se u mbrojtëm shumë. Ishim kompaktë. Ekipi bëri një ndeshje të mirë, morëm dicka pozitive nga kjo ndeshje pavarësisht rezultatit. Ne treguam në fushë. Do mundohemi dhe stërvitemi pak më shumë që të qarkullojmë topin. Por nuk është e lehtë se ata e qarkullonin shumë topin. Ata kanë edhe talente individuale.